Reshjet, rrëshqitje dheu në Librazhd

19/03/2013 19:20

Një rrëshqitje masive toke është verifikuar pasditen e së martës në Librazhd, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas informacioneve të autoriteteve lokale, nga rrëshqitja e dheut është shembur një shtëpi në fshatin Kuturman.

Ndërkohë, nënvizojnë burimet, ekziston rreziku për rrëshiqjte të mëtejshme dherash, të cilat rrezikojnë të shembin edhe banesa të tjera.

Nisur nga situata problematike, deputeti socialist Taulant Balla ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse ndihmë për banorët.

Shkak i rrëshqitjeve të dheut janë bërë shirat e dendura që kanë përfshirë vendin në ditët e fundit, të cilat edhe pse kanë ardhur në rënie, kanë lënë efekte anësore.

Disa ditë më parë, një rrëshqitje dheu e ndodhur gjatë orëve të natës shkaktoi bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor që lidh Këlcyrën me Përmetin.

Autoritetet lokale informuan se, bllokimi ndodhi në vendin e quajtur Kuqar, ku për disa orë kalimi u bë i pamundur.

Autoritetet bënë me dije se dy fadroma punuan për hapjen e aksit që të çon në pikën doganore të Tre Urave. Edhe për këtë rrëshqitje jo të vogël shkak ishin reshjet e shiut, të cilat në disa zona kanë qenë me intensitet të madh.

Ndërsa në fund të muajit të kaluar një rrëshqitje dheu u verifikua në fshatin Ngraçie, në Mallakastër. Autoritetet lokale njoftuan se nga masivi i dheut ishin përfshirë të paktën 12 banesa, gjashtë prej të cilave ishin bërë të pabanueshme.

Autoritetet bënë me dije se nga rrëshqitja e dheut nuk pati persona të lënduar, ndërsa banorët që iu dëmtuan shtëpitë u strehuan gjetkë.

Top Channel