Kosova dhe Shqipëria pritet të formojnë grupe punuese të përbashkëta që do të merren me mundësinë e shfrytëzimit të përkohshëm të kodit telefonik të Shqipërisë +355, derisa Kosova të marrë kodin e vetë shtetëror.
Kjo u bë e ditur pas një takimi në Prishtinë ndërmjet ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj dhe ministrit për Inovacionin, Genc Pollo, të cilët nënshkruan marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e teknoligjisë së informacionit dhe të komunikimit.
Por, kur Shqipëria do të bëjë një kërkesë të tillë në ITU? Z. Pollo thotë se kjo do të bëhet kur të arrihet në përfundimin se kjo është rruga e duhur dhe të gjinden pistat ligjore për këtë. Ndërkaq, ministri Beqaj shprehu edhe një herë gatishmërinë që Kosova të marrë një kod të tillë të përkohshëm.
“Tirana do të ndërhyjë për të ndihmuar në zgjidhjen e problemit. Në një mënyrë ose në një tjetër, Kosova duhet të ketë prefiksin e vet, qoftë ky i Shqipërisë, qoftë një zgjidhje tjetër e dobishme për Kosovën ekonomikisht, në radhë të parë, se bëhet fjalë për tarifime dhe arkëtime të rëndësishme të një sektori ekonomik me vëllim të madh financiar. Pra, ne jemi të gatshëm që në vijim të kësaj marrëveshje për të gjetur zgjidhjet më të mira në dobi të Kosovës në radhë të parë, dhe mundësi bileterale në radhë të dytë”, deklaroi Pollo.
“Kosova është e gatshme për të marrë një kod të tillë të përkohshëm dhe do të punojë për këtë. Ndërkohë, ne u harmonizuam që të shikohen të gjitha mundësitë teknike, sepse duhet në kuadër të këtyre mekanizmave të diskutohet edhe me ITU, e cila bën liçencimin e përdorimit të kodeve shtetërore”, deklaroi nga ana tjetër ministri Beqaj.
Por, krahas këtyre angazhimeve, ministri Beqaj bëri të ditur se Kosova është e interesuar që sa më shpejt të ketë kodin e vet shtetëror dhe në kuadër të kësaj të faktorizohet, ndërsa mori premtimin e ministrit Pollo se Shqipëria do të luajë rolin e saj në mënyrë që t’ia lehtësojnë Kosovës zgjidhjen e çështjes së kodit të vet telefonik dhe në proçesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Ndërkaq, sipas marrëveshjes që u nënshkrua ndërmjet dy ministrave, parashihet gjithashtu që me hyrjen e saj në fuqi, qytetarët e Kosovës apo të Shqipërisë, të cilët udhëtojnë në Bashkimin Europian, të kenë shpenzime më të ulëta kur përdorin celularët e tyre.
Top Channel