Samiti BE: Protesta ndaj masave shtrënguese

15/03/2013 02:50

Çështjet e punësimit dhe rritjes ekonomike kanë dominuar bisedimet e BE-së në Bruksel, në mes të protestave në kryeqytetin belg.

Franca, Italia dhe disa vende të tjera kanë synuar nxitjen e rritjes-miqësore të shpenzimeve për të përballuar problemet, ndërsa Gjermania mbrojti masat e rrepta shtrënguese.

Mijëra protestues dolën në rrugë pranë vendit të samitit, duke thënë se shkurtimet e shpenzimeve qeveritare po godisnin punësimin.

Eurozona si e tërë ka qenë në recesion për më shumë se 1 vit dhe papunësia është aktualisht në 12%. Rreth 26 milionë njerëz në 27 vendet anëtare të BE-së, përfshi rreth 7 milionë të rinj, janë aktualisht pa punë.

Në Bruksel, presidenti francez Francois Hollande kërkoi më shumë fleksibilitet në objektivat e buxhetit, të vendosura nga Komisioni Europian.

Franca, e goditur fortë nga kriza e borxheve, pritet të humbasë objektivat e deficitit të buxhetit të tij, këtë vit. Kryeministri në largim i Italisë, Mario Monti, argumentoi gjithashtu se vendi i tij, një tjetër anëtar i BE-së që po përballet me presione financiare, duhet të lejohet të shpenzojë më shumë, në mënyrë që të krijojë më shumë vende pune.

Ai paralajmëroi kolegët e tij europianë, se “mbështetja publike e reformave, dhe më keq, ajo ndaj Bashkimit Europian, është duke rënë në mënyrë dramatike”.

Ky pritet të jetë samiti i fundit në BE për Mario Montin, një teknokrat i papërzgjedhur, i cili kishte mbështetjen e Brukselit, por mori vetëm 10% të votave në zgjedhjet italiane të muajit të fundit.

Ndërkohë, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, mbrojti masat shtrënguese, duke thënë se “konsolidimi i buxhetit, reformat strukturale dhe rritja, nuk janë në kontradiktë, por janë përforcues të përbashkët”.

Top Channel