Top Show, Rama: Kur isha 16 vjeç!

14/03/2013 23:30

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka qenë i ftuar në një emision, ndryshe nga ata që jemi mësuar ta shohim zakonisht në ekranet shqiptare, në versionin “Magazine” të Top Show-t, të drejtuar nga Alban Dudushi.

I intervistuar për disa tema, që i përkasin rinisë së tij, por ku nuk
kanë munguar as deklarime mbi tematika të nxehta të ditëve të sotme.

Sinqerisht, e keni bezdi që jeni kaq i gjatë?
Edi Rama: E kam patur dikur, madje shumë, në shkollën 8-vjecare dhe në Liceun Artistik, thuajse cdo mëngjes në shkollë kur viheshim në rresht me nxënësit e tjerë, por tani nuk e kam më. Besoj se duhet të jetë shqetësim për të tjerët, jo për mua.

Ditën e Verës e bëtë zyrtare por e festuat në Elbasan…
Edi Rama: Zyrtarizimi i Ditës së Verës ka qenë me vendim qeverie. Elbasani e ka traditë dhe aty do të festohet gjithmonë, por nuk ka asgjë të keqe nëse feston e gjithë Shqipëria. Edhe sot, si gjithmonë, isha në Elbasan për të festuar këtë ditë, pavarësisht motit të keq. Ishte disi një ditë e qetë.

Kur ishit 16 vjec, ishit po kaq i pafajshëm sa Iva?
Edi Rama: Në moshën 16 vjecare nuk mund të jesh i pafajshëm, pasi që nga ajo moshë gjithcka nis e përshkallëzohet, por ishte një botë tjetër, nuk është kjo që jetojmë sot.

Në atë kohë, e kishe ndarë për t’u bërë piktor?
Edi Rama: Sigurisht që e kisha ndarë, pasi ajo botë ishte. Bota tjetër ishte utopi dhe pa jetuar me pikturën e artit nuk mund të jetoje atë botë të ndërmjetme mes asaj bote që jetonim dhe asaj që ishte utopi, për shkak të muzikës së ndaluar, për shkak të njohurive të ndaluara për t’u lexuar në libra e për t’u parë në arte të ndryshme.

Sa i përket librave të asaj kohe?
Edi Rama: Librat e Enverit lexoheshin për shkak të detyrimeve shkollore, ndërsa leximet jashtëshkollore të bënin me zemër, pasi ishin lexime tekstesh të ndaluara. Kishte vetëm një rreth njerëzish që i qarkullonin, por ishte ekzaltuese ajo pjesë e të jetuarit në ankth. Ato libra cilësoheshin si libra të mallkuar, e jo të ndaluar. Njëherë kalova kohën në tualetin e shkollës, sepse një libër që kisha në dorë nuk mund ta mbaja në klasë. Ishte një libër me piktura, pa konotacione të vecanta, por ishte një eksperiencë “erotike”, pasi arti i ndaluar ta ofron këtë mundësi “erotike”. Nuk bëhet fjalë për ngacmime seksuale, por thjesht mendime “erotike”. Ngelëm rreth 1 orë të bllokuar me disa nxënës të tjerë, për të ruajtur fshehtësinë e atij libri.

Që në atë kohë shkruaje?
Edi Rama: Po, që në atë kohë, por libra që nuk mundeshin të publikoheshin kurrë. Ishin tema shoqërore, nga jeta e përditshme, nuk përbënin rrethana për t’u publikuara.

Po piktura?
Edi Rama: Përmend një profesor, me të cilin kaloja shumë kohë, e cilësoj ende si një nga piktorët më të mëdhenj të asaj kohe, por tani ka ndërruar jetë. Nuk mund të lë pa përmendur dhe Hilën e Myrtezain, me të cilët jam shoqëruar shumë dhe prej tyre kam mësuar shumë. Ata ishin të gjithë më të mëdhenj, gati në moshën e babait tim.

A ka patur debate në shtëpi mes babait tuaj dhe nënës Anitë?
Edi Rama: Po, si në cdo familje, por nuk kam dëshirë të flas për këtë temë, pasi nuk dua t’u jap ushqim qenve.

Sa ndikim pati mungesa e lirive…
Edi Rama: Mungesa e lirive ishte shumë e ndjeshme sidomos te ne dhe, nuk ishte e rastësishme, që konflikti u shtua aq shumë në Liceun Artistik, saqë nga aty nisi zhurma më e madhe. Jo se studentët e tjerë nuk kishin pengesa, por te ne ishte bërë shqetësim edhe mungesa e një ngjyre të zezë në dyqanin e artit. Më pas, në atë kohë doli një gojë e zezë, që thoshte se ngjyrën e zezë e hoqi “monizmi”.

Kaq i përmbajtur keni qenë edhe në atë kohë?
Edi Rama: Në fakt po flasim për moshën 16 vjecare, dhe budallalliqet ishin pjesë e jetës. Por, doja të theksoja se ato budallalliqe nuk janë aspak të ngjashme me këto që bëjnë fëmijët e kohëve të sotme. Nuk do doja të ndryshoja filmin e jetës time, edhe pse kam zili sot, që s’ka asnjë pengesë për të mos hapur një libër, për të mos parë një film, për të mos shkuar diku apo për cdo gjë tjetër.

Një gjë dua të deklaroj. Kur dëgjoja prindërit e mi të thoshin se “kur isha 16 vjec kam bërë këtë e kam bërë atë”, me vinte në mendje një gjë. I thoja vetes “betohu se kur të jem unë prind, nuk do i them kurrë fëmijës tim ‘kur isha unë 16 vjec’”. Është mëse e kuptueshme se, sic kam patur unë mospërputhje në mendime me babain tim në atë kohë, edhe tani që jam prind, nuk shkoj mjalt me djalin tim. Megjithatë gabimet e mia sot janë krejt të ndryshme nga gabimet e prindërve të mi, në atë kohë.

Kohën e lirë si e kaloni?
Edi Rama: Më pëlqen të shoh filma dhe së fundi mund të them se kam parë “Zero Dark Thirty”, historia e asgjësimit të Bin Laden. Pavarësisht se ka shumë faqe interneti, që të japin mundësi të shkarkosh filma pa të drejtë autori, mund të them se jam pak nazeli në lidhje me cilësinë e filmave. Nuk mund të duroj më të shoh si në kohën e kaluar. Boll jemi lodhur duke parë filma me miza në ekran, duke bërë cmos dita-ditës për të rregulluar antenat e asaj kohe.

Sa kohë harxhoni në Twitter e Facebook?
Edi Rama: Zakonisht nuk rri ulur gjithë kohën në kompjuter, me përjashtim të momenteve kur kam dhënë konferencat në këto rrjete sociale. Më pas e kam në telefon dhe më shumë kohë e përdor nga aty, kur ndodhem në automjet përpiqem të lëshoj nga një sinjal për botën. Për mua është një stil jetese i sotëm, por si cdo gjë ka rreziqet e veta. Ka shumë njerëz që kalojnë shumë kohë në këto rrjete sociale dhe në fund të ditës nuk ndodh asgjë tjetër, vecse shtohen edhe më shumë problemet e përditshme sociale, pra rëndohen.

Mendimi juaj për bashkimin kombëtar?

Edi Rama: Atëherë, nëse e marrim në vija të përgjithshme, unë them se mjafton të shohim Top Channel-in dhe gjithcka mund të konsiderohet e bashkuar. Bashkimi i sotëm nuk ka të bëjë aspak me atë idenë e bashkimit të shumë kohëve më parë. Sot mjafton që ne të dimë të shfrytëzojmë këto dy hapësira, në dy shtete të ndryshme ku jetojmë, mjafton të kemi një politikë arsimore të njehsuar, të kemi siguri për energjinë elektrike, të ofrojmë turizëm në cdo muaj të vitit dhe ai kufi që kemi aktualisht, ju siguroj që do shuhet. Kemi mbetur ende, dhe vit pas viti, vetëm duke inauguruar abetaret, por bashkimi do veprime përtej abetares.

Top Channel