Skandali me konçesionin e karburanteve

14/03/2013 00:00

Kontrata që i jep monopolin e ngjyrosjes së karburanteve një kompanie private vishet me dyshime të tjera që marrin trajtën e një skandali shtetëror. Një ditë më parë Këshilli i Ministrave publikoi në faqen zyrtare vendimin për miratimin e kontratës duke ja dhënë shoqërisë “Global Fluids” monopolin e markimit të karburanteve për dhjetë vitet e ardhshme.

Që në fillim konçesioni u kundërshtua fuqishëm nga Shoqata e Hidrokarbureve, jo vetëm për tarifat e larta që qeveria i ka miratuar kompanisë, por edhe për faktin se po jepej si monopol, ndërkohë që mund të ishte një shërbim i liberalizuar. Për këto arsye shoqata iu drejtua Autoritetetit të Konkurrencës, i cili nisi proçedurat e verifikimit duke kërkuar informacion nga Ministria e Financave.

Por vetëm dy ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë kryetarja e Autoritetit lëshoi këtë deklaratë.

“Në rastin e markimit të hidrokarbureve, erdhi shqetësimi nga Shoqata e Hidrokarbureve dhe ne kërkuam në mënyrë të menjëherëshme nga Ministria e Financave dhe jemi informuar informalisht se kjo procedurë nuk është procedurë që po vijon, por është një procedurë që ka ngelur, që do të thotë që nuk është realizuar”, tha zonja Lindita Lati, kryetare e Autoritetit të Konkurencës.

Sic dëshmon dhe deklarata e dy ditëve më parë e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës dhe vendimi i qeverise një ditë më pas, Ministria e Financave ka mashtruar Autoritetin duke iu përgjigjur se proçedura është pezulluar dhe se vlerësimi i tenderit nuk është kryer.

Ndërsa pa kaluar vetëm 24 orë më vonë qeveria miraton nënshkrimin e kontratës, që do të thotë se jo vetëm vlerësimi është kryer, por qeveria ka përzgjedhur edhe fituesin. Në bazë të ligjit për konkurrencën në nenin 69, çdo ministri është e detyruar të informojë dhe kërkojë mendimin e Autoritetit të Konkurrencës për çdo vendim që ka të bëjë me kufizime sasiore të konkurrencës.

Kufizimet sasiore janë vendimet të cilat japin monopole apo të drejta ekskluzive tek një kompani. Anashkalimi i Autoriteteit të Konkurencës nga Ministria e Financave në kundërshtim të plotë me ligjin hedh dyshime të reja mbi kontratën konçesionare për kontrollin e cilësisë së karburanteve, përmes të cilës qeveria i jep një kompanie private monopolin e ngjyrosjes kundrejt tarifave të larta që do paguhen në fund të fundit nga qytetarët në çmimin e karburanteve.

Top Channel