Kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu ka mbajtur pasditen e së mërkurës një takim me strukturat e partisë së tij.
Në fjalën e tij Spahiu ka kritikuar qeverinë Berisha, duke i bërë asaj apel që të tërhiqet, pasi sipas tij nuk përfaqëson interesat e shqiptarëve.
“Berishës i kanë mbetur 100 ditë. I bëjmë apel shtetasit Sali Berisha që të ndalë tenderat korruptivë. I bëjmë thirrje që të tërhiqet, pasi nuk shkohet në zgjedhje me ministra banditë”, ka deklaruar Spahiu.
Duke theksuar se qeveria po grabit gjithçka, kreu i AK ka vlerësuar nevojën e Shqipërisë për një qeveri teknike, pasi me këtë aktuale nuk ka siguri as për zgjedhjet e ardhshme.
“Shqipëria ka nevojë për një qeveri teknike. Kjo qeveri duhet të tërhiqet, ky Kuvend që është sot nuk përfaqëson më shqiptarët. Qeveria ka si synim të grabisë votat, por ne do të organizohemi për në zgjedhje”, ka shtuar Spahiu.
Një ditë më parë, gjatë një takimi me simpatizantët e Aleancës Kuq e Zi në njësinë numër 6 në Kombinat, Spahiu lajmëroi se në 7 prill do të nisin protestat masive për të larguar qeverinë Berisha.
“Nga 7 prilli deri më 23 qershor, Shqipëria duhet të jetë në një valë protestash për ta rrethuar bunkerin e shtetasit Berisha dhe për të rikthyer tashmë, jo një popull të ndarë, jo një komb të copëtuar, por një komb dhe një popull kundër një individi”, deklaroi Spahiu.
Ai shtoi se në 23 qershor do të vijnë në Tiranë emigrantët shqiptarë, kudo që ndodhen, për të ndëshkuar me votë qeverinë Berisha, e cila ua shiti Shqipërinë klientëve të familjes.
Top Channel