Champions, Bayern kalon mes drithërimash

13/03/2013 22:50

Nuk ka surpriza në fund të ndeshjes. Bajerni i Mynihut, edhe pse në vështirësi, ka arritur të kualifikohet për në çerekfinalet e Champions League.

Humbja 0-2 e tyre, në “Allianz Arena”, i rikujton edhe një herë se ishte paraqitja shumë e mirë në Angli, ku fituan 3-1, që i kualifikojnë për më tej, pavarësisht se rezultati përfundimtar është 3-3.

Zhirud hap serinë e golave shumë shpejt, vetëm minuta e tretë dhe në Gjermani dominojnë “topçinjtë”.

Pas një loje thuajse të barabartë, por me një Bajern të pasigurtë, Koshielni shënon edhe golin e dytë, kur kishin mbetur 5 minuta lojë nga fundi i takimit.

Pesë minuta makth dhe drithërima për skuadrën e Hejnkes, që gjithsesi në fund ia doli mbanë.

Ndërkohë, një mbrëmje spektakolare ka qenë për Malagën. Skuadra e Pelegrinit kalon me rezultatin 2-0 Porton, duke përmbysur humbjen 1-0 në ndeshjen e parë.

Izko dhe Kruz më pas, me nga një gol në secilën pjesë, i japin këtë mundësi historike spanjollëve të Malagës.

Ndërkohë më 15 mars, pra ditën e premte, do të hidhet në Nion të Zvicrës, në orën 12, shorti për fazën çerekfinale të Champions League, ku 8 skuadrat e kualifikuara: Barcelona, Real Madrid, Bajern Mynih, Borusia Dortmund, Juventus, Paris SG, Gallatasaraji dhe Malaga do të mësojnë kundërshtarët e radhës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA