Siri, Al-Kaeda konfirmon sulmin ndaj Assad

11/03/2013 16:10

Al-Kaeda mori zyrtarisht përgjegjësi për sulmin e realizuar mbi një autokolonë të ushtrisë siriane në Irakun Perëndimor, atentat në të cilin mbetën të vrarë 48 sirianë dhe nëntë ushtarë irakenë një javë më parë.

Organizata terroriste konfirmoi sulmin nëpërmjet një deklarate të postuar të hënën në disa faqe xhihadiste.

Sipas Al-Kaedës, trupat siriane po udhëtonin drejt disa kampeve sekrete të vëna në dispozicion nga qeveria irakene. Në deklaratë theksohet se të gjithë pjesëtarët e autokolonës u vranë.

Ky aksion i ndërmarrë nga Al-Kaeda u ndoq me shqetësim të thellë në arenën ndërkombëtare, për përfshirjen e grupit terrorist në konfliktin sirian dhe për destabilizimin gjithmonë e më të madh që po përjeton Iraku nga lufta civile në vendin fqinj.

”Prej kohësh, qeveria jonë ka paralajmëruar për rrezikun e depërtimit të disa grupeve militante nga Siria në Irak”, deklaroi Ali al-Mussaëi, një zëdhënës i kryeministrit Nuri al-Maliki.

”Për fat të keq, grupet militante janë shumë aktive në kufirin ndërmjet Irakut dhe Sirisë”, shtoi ai.

Brenda radhëve të kryengritësve sirianë, njihen aktualisht disa luftatarë muslimanë, si anëtarët e brigadave të “Al-Nusras”. Megjithatë, përfshirja e Al-Kaedës, e cila konsideron presidentin Bashar al-Assad si një “të pafe”, ngre dyshime të reja serioze mbi natyrën e grupimit të kryengritësve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA