Elbasan, del nga shinat treni i mallrave

10/03/2013 16:20

Treni i mallrave të linjës Xhyrë-Elbasan-Durrës del nga shinat dhe tre vagonë të mbushur me mineralin Hekur-Nikel janë përmbysur në afërsi të Dragostunjës.

Destinacioni ishte porti i Durrësit, nga ku do të dërgoheshin për eksport. Rrjeti tejet i amortizuar është shkaku kryesor i daljes nga shinat të trenit.

Specialistët e mirëmbajtjes së trenave pohojnë se dëmi do të ishte më i madh, nëse do të ishin përmbysur edhe 5 vagonat e tjerë të mbushur me mineral. Kjo linjë hekurudhore është jashtë funksionit për qytetarët, për afro 1 vit e gjysmë, dhe përdoret nga drejtoria e hekurudhave vetëm për transport mineralesh.

Segmenti hekurudhor Elbasan-Guri i Kuq-Progradec është segmenti më i dëmtuar dhe më i rrezikshmi për trasetë e trenave në vend.

Vitet e fundit është bërë prè e rrënimit, jo vetëm nga fenomenet natyrore, por edhe prè e grabitësve të skrapit, ku vetëm disa muaj më parë u ndërpre totalisht linja hekurudhore, që lidhet me këtë segment.

Top Channel