Malta, drejt kutive të votimit

09/03/2013 03:00

Zgjedhjet e përgjithshme pritet të nisin në ishullin mesdhetar të Maltës, teksa sondazhet sugjerojnë ndryshimin e qeverisë, pas më shumë se 15 vjetësh.

Partia Nacionaliste, në qeveri, ka mbetur mbrapa në sondazhe, pavarësisht një përformance të fortë ekonomike në një nga shtetet më të vogla të Bashkimit Europian.

Partia Nacionaliste ka drejtuar Maltën që prej 1987-s, me përjashtim të viteve 1996-98, kur Laburistët ishin në krye të vendit.

Zgjedhjet u parashikuan të mbaheshin, që prej rrëzimit të qeverisë në dhjetor. Kryeministri Lawrence Gonzi humbi mazhorancën e tij prej vetëm 1 vote, pasi një deputet kundërshtues votoi kundër buxhetit.

Malta, me një popullsi prej pak më shumë se 400 mijë njerëz, është një nga ekonomitë më të suksesshme, por më e vogla, në Eurozonë.

Me sektorët fuqishëm të turizmit dhe shërbimeve financiare, arkipelagu në fjalë ka një papunësi relativisht të ulët, një përqindje të rritjes pozitive dhe një borxh qeveritar të ulët.

Gonzi u ka bërë thirrje votuesve ta gjykojnë për administrimin e mirë të ekonomisë, e megjithatë ai ka pranuar disa gabime.

Gjithsesi, nëse parashikimet rezultojnë të sakta, lideri i Partisë Laburiste, Joseph Muscat, pritet të bëhet kryeministër. Muscat, një ekonomist dhe ish-anëtar i Parlamentit Europian, ka bërë thirrje për ndryshim në qeverisje, edhe pse vëzhguesit thonë se ai nuk e ka shpjeguar tërësisht çfarë nënkupton me ndryshimin.

Premtimi i tij kryesor elektoral ka qenë reduktimi i çmimit të energjisë elektrike, që besohet të jetë mes më të lartëve në botë, me 25%. Pjesëmarrja pritet të jetë e lartë, teksa qendrat e votimit do të hapen në orën 7 të mëngjesit, për t’u mbyllur në 10 të darkës.

Në Maltë, zakonisht më shumë se 90% e votuesve të ligjshëm shkojnë në votime.

Top Channel