Zyra e Përfaqësueses së Lartë të BE-së konfirmoi vizitën në Prishtinë të baroneshës Catherine Ashton më 14 Mars. Në kuadër të dialogut, Ashton do të konsultohet me përfaqësuesit e Serbisë dhe të Kosovës javën që vjen.
Fillimisht, Ashton do të takohet në Bruksel më 11 mars me presidentin e Serbisë Nikoliç, kryeministrin Daçiç dhe zëvendës-kryeministrin Vuçiç.
Më pas, Ashton do vizitojë më 14 mars Prishtinën, për të zhvilluar takime me kryeministrin Thaçi dhe liderët e partive politike në vend. Takimi i radhës Thaçi-Daçiç për normalizimin e mardhënieve mes dy vendeve pritet të zhvillohet më 20 mars.
Raundi i gjashtë i dialogut të Brukselit, i zhvilluar të hënën, përfundoi me një marrëveshje verbale për shpërbërjen e strukturave paralele serbe të sigurisë në veriun e Kosovës, siç deklaroi në përfundim të tij kryeministri Hashim Thaçi.
“Ka pasur një pajtueshmëri verbale për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë, si dhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas ligjeve të Kosovës, në të gjithë territorin e Kosovës, edhe në veri. Mund të them se jemi më optimistë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Thaçi.
Për bashkësinë e komunave me shumicë serbe, Thaçi premtoi se çdo zgjidhje do të kërkohet brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Ndërsa vetë Ashton deklaroi se edhe në këtë raund bisedimesh ishte bërë progres i mirë, ndërkohë që puna do të vijojë deri në takimin e ardhshëm, më 20 mars po në Bruksel.
Top Channel