Festa e 7 Marsit, urime për mësuesit

07/03/2013 00:00

Tufa me lule dhe urime për të gjithë mësuesit, që çdo ditë e kalojnë me
nxënësit në bankat e shkollave në të gjithë vendin. Mijëra nxënës, në
gjithë vendin, sot nuk i kanë kursyer urimet dhe falenderimet për
mësuesit e tyre, që i kanë mësuar të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën
amtare.

Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj ka uruar mësuesit në këtë ditë të rëndësishme dhe ka premtuar rritje të pagave dhe përmirësim të statusit të mësuesit. Plot 125 vite më parë, më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjtorja e parë shqipe dhe drejtori i parë i saj ishte Pandeli Sotiri. Qe prej asaj dite, 7 Marsi lidhet me festen e Mesuesit.

Berisha: Mësuesi në krye të përpjekjeve të shoqërisë

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në aktivitetin festiv me mësuesit me rastin e festës së 7 Marsit.

“Mësuesi është në krye të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare. Jemi një nga kombet që kemi ndryshuar më shumë gjatë këtyre 20 viteve”, tha Berisha, para mësuesve dhe nxënësve në aktivitetin e organizuar në Pallatin e Koncerteve.

Sipas shefit të Qeverisë, Shqipëria është nder vendet me zhvillim të shpejtë ekonomik, ndërsa tashmë është trefishuar numri i studentëve në shkollat e larta. “Nga 40 shkolla me internet në vitin 2005, sot janë dy mijë shkolla të tilla që kanë këtë akses”, tha Berisha.

Rama, bashkëbisedim me mësuesit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e së
enjtes një bashkëbisedime me mësuesit, me rastin e festës së 7 marsit.

Gjatë takimit, pasi ka dëgjuar problematikat me të cilat përballen mësuesit në shkollat shqiptare, kreu i opozitës ka prezantuar strategjinë e PS për arsimin, duke e vënë theksin fillimisht tek çlirimi i këtij sektori nga ndikimi politik.

“Liria e profesionit është e cënuar për arsye politike, për arsye partiake dhe elektorale, që synojnë ta rrënojnë arsimin duke ndërhyrë në marrëdhëniet mësues-shkollë dhe mësues-prindër”, ka deklaruar Rama.

“Gjëja e parë që ne do të bëjmë kur të vijmë në pushtet do të jetë kthimi i lirisë së arsimit. Do bëjmë një proçes rekrutimi të mësuesve në koordinim me prindërit. Nuk mund të garantojmë cilësinë e arsimit nëse nuk përfshihen prindërit”, ka theksuar ai.

Një tjetër premtim që ka bërë lideri i së majtës në kuadër të programit qeverisës ka qenë heqja e taksave për mësuesit, sikurse do të bëhet për shtresat e mesme.

“Gjithashtu, ne do çlirojmë mësuesit nga taksat. Taksa e sheshtë ka qenë një goditje që i ka marrë frymën të gjithë shtresës së mesme. Ne duhet t’i ulim taksat për mësuesit dhe programi ynë sjell përmes kësaj një rrogë më shumë”, ka nënvizuar Rama.

Më tej kreu i PS i ka njohur bashkëbisedueset me projektet e tij për shkollat, duke e vënë theksin tek futja e sportit dhe e gjuhëve të huaja në këto institucione.

“Jam i bindur se 7 marsin e ardhshëm do të flasim për gjëra të tjera”, ka thënë më tej Rama, duke shtuar se situata aktuale vjen si pasojë e keqqeverisjes së arsimit dhe shkollës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA