Në spitalet e rretheve dhe ato rajonale janë konstatuar mungesa të
mjekëve të specializuar, si mjekë anestezistë-reanimatorë, pediatër
neonatë, por edhe mjekë familjeje.

Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo gjatë një turi në spitalet kryesore në vend për t’u njohur me problemet kryesore është ndeshur me këtë shqetësim të ngritur nga bluzat e bardha, që sipas tij është një problem i trashëguar.

“Ajo që unë mendoj se është problemi më kryesor, është mungesa në disa spitale rajonale të mjekëve specialistë, kryesisht të mjekëve anestezistë-reanimatorë dhe mjekëve pediatër neonatë. Eshtë një problem i trashëguar në vitet e fundit është bërë një listë kombëtare, ku mjekët specializantë janë të lirë më pas, pasi mbarojnë specializimin për të punuar në çdo spital ku shpallet një vend i lirë pune, por nuk janë të detyruar në bazë të një kontratë të caktuar, siç ka qenë më përpara, ku për pesë vjet, të paktën pesë vjet, duhet që të kthehen në rajonin në të cilin ka realisht mungesë mjeku”, tha Tavo.

Per te zgjidhur kete ngerç sa më shpejt, ministri i Shëndetësisë në bashkepunim me Ministrinë e Arsimit do te shkurtojne vitet e specializimit per disa kurikula, si dhe do te detyrojne mjeket qe pas specializimit të punojne per pese vite per rajonin, ku dhe kanë konkurruar.

“Për specializimet që shpresoj të përfundojnë brenda muajit mars, lista do të jetë listë rajonale, ku do të përfshihen edhe kërkesat e spitaleve rajonale dhe të spitaleve të tjera të rrethit dhe mjekët që do të fitojnë konkursin do të konkurrojnë për këto rajone. Do të fitojnë të drejtën e specializimit për këto rajone dhe do të jenë të detyruar që për pesë vite të shkojnë dhe të punojnë në rajonet, të cilat marrin specializimin. Një zgjidhje tjetër, e cila konsiderohet më afatshkurtër është pra specializime me kurrikula të përshpejtuara për mjekët specialistë. P.sh për anestezi e reanimacion, apo për neanotologji, që do të thotë një kurs më i ngjeshur. Nëse është sot është 4 vjet specializimi ne mendojmë që për disa kurrikula ky specializim të jetë dyvjeçar”, theksoi Tavo.

Ndersa mjeket e pergjithshem qe kane mbi 5 vite eksperience pune do t’i nenshtrohen nje provimi çka do t’i certifikoje ata si mjek familje.

“Me Ministrinë e Arsimin, me Dekanatin dhe Universitetin mjekësor kemi rënë dakort që për mjekët e përgjithshëm, të cilët kanë një përvojë pune mbi 5 vjet sot nëpër qendrat shëndetësore, pas dhënies së një provimi, të marrin automatikisht diplomën e mjekut të familjes”, theksoi ministri.

Tavo tha se duke plotesuar spitalet e rretheve dhe ato rajonale me mjeke te specializuar do te ulet dhe fluksi i pacienteve ne QSUT dhe do te funksionoje edhe me mire sistemi i references.   

Top Channel