Berisha: Program kombëtar për peshkimin

05/03/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha premtoi të martën dhe një program të mirëfilltë kombëtar për zhvillimin e sektorit të peshkimit.

Duke folur në konferencë me temë “Industria e detit dhe perspektiva e saj”, Kryeministri Berisha vlerësoi rëndësinë që ka ky sektor në ekonomi ndërsa solli në vëmendje domosdoshmërinë për një ndërhyrje e fuqishme në këtë sektor, për ta shndërruar atë në një sektor të fuqishëm të rritjes ekonomike dhe të punësimit.

“Ky sektor ka një rëndësi të madhe në ekonomi ndërsa realiteti tregon se është një sektor gjysmë i harruar. Kjo është një industri cila fatkeqësisht nuk punon me lëndë të parë të vendit, por të importuara. Ky është realiteti. Dhe ky realitet kërkon një ndërhyrje të fuqishme transformuese dhe unë jam këtu për të garantuar njëlloj siç morën programet e mëdha kombëtar të zhvillimit, do të marrin programin e peshkimit”, tha Berisha.

Kryeministri iu referua industrisë së peshkimit si një potencial i rëndësishëm që e ofron natyra e vendit tonë, potenciale të cilat sipas tij duhet të shfrytëzohen në maksimum për të përballuar krizën ekonomike që ka përfshirë rajonin dhe për të mos rënë në recension.

“Tema e konferencës është shumë e rëndësishme se Shqipëria është një vend me potencial të madh në këtë fushë, vend i vogël me potencial të madh, me detyrat, liqenet dhe lagunat ka llojshmërinë ndër më të pasurat që mund të ekzistojë në ujërat e kripura dhe të ëmbla rriten speciet më cilësore, më të rralla të peshqve të Europës dhe më gjerë”, tha Berisha.

Rama: Berisha kopjon programin e PS për detin

Pas këtyre deklaratave të kreut të qeverisë ka reaguar menjëherë kreu i PS-së, Edi Rama i cili përmes një mesazhi të postuar në rrjetin social Twitter ka ironizuar kryeministrin, i cili sipas tij, deri dje detin e dinte si një pishinë që shërben vetëm për të mësuar not, ndërsa tani duke kopjuar programin e PS e ka kuptuar se ai është burim zhvillimi ekonomik.

“PS e para force politike ne vite qe ka nje program per detin si burim zhvillimi ekonomik! Qeveria veç noton ne programin tone duke ikur. Deri dje detin e dinte veç pishine per te mesuar not, pas Konferences sone te Programit ka kuptuar qe deti eshte burim zhvillimi ekonomik”, shkruan Rama në Twitter.

Berisha: Kemi bërë për fshatin më shumë se kushdo

Kryeministri Berisha, i pranishëm në përurimin e rrugës Fier-Komuna Ruzhdie, theksoi se gjatë dy mandateve të tij, është investuar dhe përmirësuar niveli i jetesës në fshat më shumë se çdo herë tjetër.

Gjithashtu, kreu i ekzekutivit shqiptar vlerësoi se programi i tij është superior ndaj të gjithë programeve të tjerë për zhvillimin e Shqipërisë në katër vitet e ardhshme, ndërsa premtoi përkushtimin maksimal për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend.

”Kjo rrugë, e cila lidh Ruzhdien me Fierin dhe rrugët kombëtare, është vetëm një prej dhjetëra investimeve të radhës në Qarkun e Fierit, investime që në disa vite, në këtë zonë kanë arritur vlerën e 620 milionë eurove”, deklaroi kryeministri.

”Ne, në një hark të shkurtër kohor do të asfaltojmë çdo rrugë të qarkut në mandatin e tretë, duke e bërë daljen e produkteve tuaja gjithmonë e më shpejt e gjithmonë më shumë në treg. Nga një fshat pa rrugë, me shkolla të rënuara, pa qëndra mjekësore dhe me pensione të njëjta, ne sot kemi pikërisht të kundërtën, me rrugë, me të mbjella, me shkolla të rikonstruktuara, me pensione që vetëm rriten. Asnjë qeveri në Shqipëri nuk ka bërë më shumë për fshatin”, argumentoi Berisha.

”Shkojmë drejt këtyre zgjedhjeve, të përkushtuar për votën e lirë dhe për të vazhduar përparimin e Shqipërisë në të gjithë drejtimet”, shtoi kryeministri.

Top Channel