Ministria e Bujqësisë hodhi poshtë mundësinë e tregtimit të medikamentit
Boldemec, i cili është një hormon që stimulon rritjen e kafshëve për
mish, duke thënë se artikulli që është importuar nga një kompani e
licensuar nga vetë ministria në vitin 2007 ka skaduar që në vitin 2010.

Një ditë më parë, Top Channel publikoi medikamentin e blerë në farmacitë bujqësore që tregonte afat skadence vitin 2013, ndërkohë që dje u publikua një tjetër etiketë, që tregon se afati i skadencës është në vitin 2015.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, importi dhe tregtimi i këtyre substancave ishte ndaluar që në vitin 2006, por në vitin 2007 është bërë licensimi i një kompanie ku në listën e artikujve që do të importoheshin ishte shënuar edhe Boldemec-u. Sipas vetë Ministrisë, kjo kompani kishte futur në Shqipëri 4 mijë flakone nga Peruja në shtator 2007, por që medikamenti ishte regjistruar si kimikat që luftonte parazitët tek kafshët.

Top Channel i bleu këto medikamente në farmaci bujqësore në disa rrethe të vendit ku shiteshin në mënyrë legale edhe pse në njoftimin e saj Ministria e Bujqësisë pretendon se në qershor 2010 Boldemec ka skaduar dhe 3 mijë e 481 flakone kompania i ka pasur ato stok jashtë përdorimit dhe që me mirëkuptim të Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit janë ruajtur në ambientet e saj.

Një sasi prej rreth 4 mijë flakonë hormonesh të njohura si steroidi “Boldemec” do të asgjësohen brenda pak ditëve në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare.

Inceneratori i këtij instituti do të bëjë shkatërrimin e kësaj substance të njohur kohët e fundit si lënda e parë e kafshëve me të cilat ushqehet secili prej nesh, duke menduar se është viç i njomë dhe produkt bio, ndërkohë që në fakt është kafshë e mbushur plot me toksina, e rrezikshme për organizimin tonë.

Sa më e vogël të jetë kafsha e therur dhe që është rritur me “Boldemec”, aq më i rrezikshëm është konsumi i mishit, sipas ekspertëve veterinarë.

Preparati është importuar në 2007 në një sasi prej 4000 flakonësh. Nga kjo sasi, deri në momentin e daljes së urdhrit të parë për ndalim janë tregtuar rreth 600 flakonë. Në qershor 2010 “Boldemec” skadoi dhe 3 mijë e 481 flakonë kompania i ka pasur ato në stok jashtë përdorimit, në ambientet e saj.

Kjo sasi do të asgjësohet brenda pak ditëve në inceneratorin e specializuar të Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare. Pas publikimit në “Top Channel” të dëshmive se si në Shqipëri shitet ende në farmacitë veterinare ky preparat i rrezikshëm për shëndetin e njerëzve janë bërë kontrolle në Shkodër dhe Elbasan dhe zyrtarisht thuhet se nuk ka asnjë flakon të këtij ilaçi.

Por investigimi i gazetarëve të “Top Channel” tregoi se ende nën dorë, nën banak apo në bagazhe automjetesh shitet “Boldemec” me datë skadence qershorin e vitit 2013. Ky ilaç që është hormonal me bazë testosteronin, nuk përdoret kundër parazitëve, siç thuhet në njoftim, por për të rritur artificialisht masën trupore të kafshëve. Në fletën shoqëruese të këtij medikamenti kjo është e shkruar shumë qartë nga prodhuesi.

Përdorimi i këtij injeksioni te viçat që përdoren për mish është shumë i dëmshëm për njerëzit që i konsumojnë.

Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit me anë të një deklarate zyrtare të lëshuar ditën e shtunë sqaroi për qytetarët se në të gjitha kontrollet e ushtruara në 12 depo farmaceutike dhe 108 farmaci veterinare, nuk gjeti asnjë flakon të preparatit Boldemec, që rezulton të jetë i ndaluar në Shqipëri që prej vitit 2006 pas urdhrit të ministrit.

Ministria e Mbrojtjes së konsumatorit sqaron se kjo substancë është regjistruar nga kompania Peruane AGROVET, me përfaqësi subjektin tregtar te PMV MILIFAR për t’u përdorur si antiparazitar në kafshë.

Hormoni i rrezikshëm, steroidi i njohur me emrin “Boldemec” po qarkullon lirisht në tregun shqiptar. Me këtë produkt të ndaluar në vendet e Bashkimit Europian prej më shumë se një dekade, është hormoni i përdorur gjerësisht nga fermerët, por edhe i shitur e i kërkuar në farmacitë vendase.

Për pesë vite me radhë, autoritetet shqiptare kanë lejuar importin dhe përdorimin e bagëtisë së majme, i shtuar nëpërmjet hormonit të njohur si Boldemec LA.

Përbërësi kryesor është një steroid i quajtur Boldenone, i krijuar për përdorim veterinar, kryesisht për trajtimin e kuajve.

Pavarësisht kësaj, sportistët shpeshherë e përdorin atë për doping, si dhe ata që merren me badibillding, e përdorin po ashtu për rritjen e peshës dhe vendosjen e muskujve.

Përdorimi i hormonit “Boldemec” është i ndaluar përmes dy vendimeve të Ministrisë së Bujqësisë, një i vitit 2006, dhe një tjetër i vitit 2011. Por me gjithë masat e marra për kontrollin e tij, përgjegjësi i shërbimit veterinar pranë Ministrisë së Bujqësisë, Sotiraq Papa, tha se kontrabanda është vështirë të kontrollohet. “Mbetje të “Boldemec” të vitit 2010 mund të kenë mbetur në farmaci jo të licencuara. Mund të jenë farmaci që përdoren nga veterinerë privatë me një gamë të vogël medikamentesh. Ne nuk e kemi kapacitetin për ta kontrolluar gjithë kontrabandën”, deklaroi Papa.

Gazeta “Shqip”

Top Channel