Ndërkombëtarët shohin dhe heshtin

03/03/2013 00:00

Artan Mullaj – Pakujdesia, rutinë negative në Shqipëri, fillon si paaftësi e politikës së ditës dhe mbaron si papërgjegjshmëri e saj.

Korrupsioni, mjerimi, shkatërrimi i vlerave, Haxhi Qamili në sfond, mediokriteti, mosshpresa, fodullëku, të gjitha këto, shoqërojnë në ditët tona dhunshëm zhvillimin tonë, që në fakt nuk është zhvillim…

***
Në aurorën e kësaj “pakujdesie”, kanë pasur pjesën e tyre edhe ndërkombëtarët, trojka shkëlqimtare e përfaqësisë së Europës, ku duhet dhe duam të shkojmë. Nuk është se bëjnë ndonjë gjë të madhe. Nuk shkrehin fishekzjarë, nuk bëjnë as zhurmë kushedi ç’lloj. Thjesht heshtin ose kur flasin, janë të paqartë. Janë të paqartë në deklaratat dhe qëndrimet e tyre ndaj çështjeve me rëndësi kapitale, që janë, mënyra si qeveriset ky vend dhe mënyra, si palët, pozita dhe opozita, komunikojnë midis tyre dhe perceptojnë demokracinë.

Kujdesi i tepruar i ndërkombëtarëve për të qenë “të paanshëm ndaj zhvillimeve tona të brendshme”, në njëfarë mënyre, ka qenë gjithashtu i paqartë. Në gjuhën diplomatike, paqartësia është papërgjegjshmëri… Ajo spikat në deklaratat e tyre! Aludimet, deklaratat shumëkuptimshme, ose asnjëkuptimshme, diplomacia e rafinuar në një vend të parafinuar dhe të vështirë si Shqipëria, (ku diplomacia e diplomacisë nuk është e nevojshme), nganjëherë edhe mungesa e transparencës, të gjitha këto janë bërë pjesë e performancës së përfaqësive perëndimore. Të gjithë ne e dimë se në ç’lloj ujëvare është shndërruar interpretimi nga palët i gjithë sa ato thonë. Dhe, ka një lloj shqetësimi publik ndaj këtyre qëndrimeve, megjithëqë pranohet që ky qëndrim motivohet me nevojën për të qenë korrekt me strategjinë e diplomacive që përfaqësohen në Shqipëri. Pa dyshim, kujdesi për të mos qenë palë është detyra e tyre. Por kjo nuk pengon lirinë e të thënit që pikërisht ky kujdes i tepruar për paanësi, është një pakujdesi që ka sjellë në vazhdim perceptimin popullor se ndërkombëtarët janë palë me pushtetin, me qeverinë.
 
***
Por çfarë është pushteti? Kjo gjë, përkufizimi i pushtetit, perceptohet natyrisht mjaft mirë nga shqiptarët, ata që e jetuan tranzicionin në Shqipëri dhe ata që pas shumë vitesh emigrimi në Europë, kanë zgjedhur të kthehen.

Shqiptarët shohin atë që kuptojnë me mënyrën e tyre edhe ndërkombëtarët: Shqipëria është një vend i pushtuar nga terrori i mungesës së shpresës. Shqipëria ka një klasë politike të infektuar dyfish, nga korrupsioni dhe nga paaftësia për ta luftuar atë; të infektuar nga paaftësia; nga paaftësia për të motivuar sërish qytetarët e këtij vendi të ndiejnë të gjallëruar në shpirtrat e tyre, dëshirën për të pasur sukses, dëshirën për të jetuar më mirë, më lirë, dëshirën për të harruar.

Të mbajtur peng prej babëzisë dhe mediokritetit të disa personazheve politikë edhe publikë në vend, që supozohet të jenë “elitë” prej 20 vitesh, shqiptarët përgjithësisht mendojnë se kjo “elitë” nuk ka perceptimin real të qeverisjes publike, si një mjet, si një vullnet kolektiv, si një marrëveshje për të garantuar liri, barazi, ndershmëri, siguri dhe mundësi për të gjithë.

Nga ana e tyre, edhe ndërkombëtarët e dinë se shqiptarët janë të zhgënjyer nga “elita” e tyre, nga “paria” që shpesh dhe rëndom njehsohet me pushtetin… Kjo “pari katundare” është shkaktarja që motorët e demokracisë në Shqipëri janë shuar. Që madje nuk mundën të ndizen askurrë. Të gjithë, sidomos ndërkombëtarët, e dinë se liria, ose më saktë, cenimi i saj, është një problem serioz në Shqipëri. Stuhisë së këtij perceptimi, që e sjell Amerikën dhe Europën si një simbol të saj në sytë e shqiptarëve, i është bërë barrikadë. Në Shqipëri, qeverisja është kthyer në një sundim, sundimi në harbutëri, harbutëria në sistem. Të gjithë e dimë që engjëjt e shpresës, tremben dhe zhduken në qiell, sa herë buzëqesh Kryeministri i vendit, sepse poshtë maskës së tij, është një fytyrë tjetër, një standard tjetër: Fytyra e një njeriu që sundon dhe kërkon të sundojë pafundësisht në këtë vend, ku nuk ka drejtësi, barazi, nuk ka të ardhme dhe nuk ka arbitra! Ka ndërkombëtarë të paqartë, por nuk ka arbitra. Mungesa e drejtësisë është një stres kolektiv që shndërrohet në dhimbje. Ndershmëria në Shqipëri është diçka më e rrallë se fantazmat, por aq më rrallë thuhet kjo gjë. Këtu sundon një pushtet autoritar, të cilit i mungon tërësisht ndjeshmëria civile: Kur një pushtet nuk ka ndjeshmëri, nuk mund të ketë as integritet.

Jeta është e brishtë, nuk duhet ndëshkuar me moralitet të tepruar! Por, a mund të quhet teprim të konstatosh se në këtë vend vriten njerëz, në punë, në rrugë, në krye të detyrës? Në Shqipëri vriten njerëz të pafajshëm, si ata që u vranë në sheshin para Kryeministrisë, por vriten edhe gjykatës, edhe policë. Kujtojmë çfarë ndodhi pas vrasjes makabre në Vlorë, ku një gjykatës, një prind, një bashkëshort, u nda përgjithmonë nga kjo botë: Pasiguri, frikë, kujdes kolektiv për të mos rënë në sy të atyre që edhe vdekjen e kthejnë në spektakël. Përfytyroni si lëndohet ndërgjegjja e një shoqërie tek sheh se si asgjësohen prej kriminelëve, para syve të saj komisarë policie. “Demokracia” jonë është peng i këtij perceptimi! Ne vetë jemi pengje të saj, ndërkohë që ajo duhej të ishte mjeti ynë për të vazhduar marshimin e ndershmërisë në rrugën ku Perëndimi ka marshuar. Filozofia e realitetit në Shqipëri është e kundërta e asaj që na kanë mësuar “etërit tanë”, që luftuan për vatanë: Është filozofia e terrorit: Gjithkush duhet të ketë frikë, jo nga ligji, por nga zemërimi i paguar i banditëve, që janë në shërbim të banditëve të tjerë, me pushtet edhe pa.

Shqiptarët dhe diplomatët ndërkombëtarë, dy brigje të një lumi mes realitetit shqiptar… Të parët mendojnë, e konstatojnë dhe e shprehin hapur, të dytët, ndërkombëtarët, thjesht shohin dhe heshtin.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA