Bankat i “mbyllin” dyert biznezit

01/03/2013 00:00

Kredia për ekonominë ka hyrë në ngërç total prej disa muajsh. Të dhënat e
fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në janar kredia që
bankat kanë dhënë për individët dhe biznesin zbriti në 551.4 miliardë
lekë.

Kjo shifër është më e ulët se sa ajo e majit të vitit të kaluar, një situatë e paprecedentë me të cilën Shqipëria nuk është përballur asnjëherë që nga koha e ngritjes së sistemit bankar privat. Kredia në Shqipëri, ndonëse ngadalësoi fort ritmet e rritjes i rezistoi presioneve të para të krizës ekonomike deri në fillim të vitit të kaluar.

Që nga ajo kohë bankat tregtare në Shqipëri, që zotërohen nga grupet e huaja kanë ndërmarrë një politikë agresive duke shtrënguar dhënien e kredive për të ulur ekspozimin e tyre në ekonominë shqiptare. Nga ana tjetër edhe rritja e ulët ekonomike ka zbehur kërkesën e sipërmarrjes për hua. Efekti negativ i këtij fenomeni në ekonomi ka qenë i lartë.

Vitin e kaluar rritja ekonomike vlerësohet të ketë zbritur në 1.5 për qind, një shifër kjo dy herë më e ulët edhe nëse e krahason me mesataren e viteve të mëparashëm të krizës 2009-2011. Sipas Ministrisë së Financave ngërçi i kredisë ka qenë një nga shkaqet kryesore të këtij ngadalësimi të fortë.

Për shumë vite, kredia për ekonominë ka qenë një nga faktorët kryesor, në financimin e bizneseve dhe investimeve të reja në ekonomi duke nxitur rritjen e shpejtë ekonomike. Sipas studimeve të bankës së shqipërisë, përpara viteve të krizës, 25 për qind e rritjes së prodhimit ka ardhur nga efekti i zgjerimit të kredisë. Por shifrat e fundit, sinjalizojnë se ky efeket tashmë mund të jetë kthyer në negativ.

Top Channel