Arroganca e Berishës dhe poli i Metës

01/03/2013 00:00

Andrea Stefani – Kreu i LSI-së, Ilir Meta, sapo ka bërë një deklaratë
mbi domosdoshmërinë e një poli të tretë që do përkulte arrogancën e
partive të mëdha në qeverisje. Njëherazi Meta ka deklaruar se qenia në
qeveri e LSI-së nuk është e lidhur me vetë ekzistencën e LSI-së, por me
nevojën e një klime konstruktive stabiliteti.

Por problemi është se po t’i ballafaqosh këto deklarime të Ilir Metës me çka ndodhur dhe ç’po ndodh, kupton që ato janë krejtësisht të pasinqerta dhe se Meta lakmon krejt të kundërtën e asaj që deklaron. Se ai ka sakrifikuar konstruktivitetin opozitar për një copë pushtet dhe se është bërë pjesë e arrogancës qeverisëse të PD.

***

Të analizojmë idenë e polit të tretë. Këto 20 vjet kanë treguar se edhe kur një parti e madhe ka qenë e detyruar të krijojë një qeveri me disa parti të vogla, arroganca e qeverisjes nuk është zbutur. Përkundrazi, kanë qenë partitë e vogla që pasi kanë bërë pazare duke i zhvatur pushtetit ndonjë copë kockë, janë bërë palë me arrogancën e pushtetit. Shembulli më tipik është vetë LSI dhe Ilir Meta që, pasi përfituan 20 përqindëshin nga copa e pushtetit, e mbështetën Berishën në aksionet e tij autokratike për kapjen e të gjithë pushteteve. Rastet më të fundit kanë të bëjnë me zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe caktimin e Kryeprokurorit. Pluripartizmi ndikon në zbutjen e arrogancës së partive të mëdha në qeveri vetëm kur partitë e vogla që bëhen pjesë e qeverisjes, mbeten të dedikuara të zbatohen parimet e demokracisë liberale që kanë të bëjnë me ndarjen e pushteteve, me kufizimin e pushtetit të qeverisë nga pushtete të tjera që e balancojnë dhe e kontrollojnë qeverinë. Por nuk do të mjaftojë as një pol i tretë me 100 parti, nëse këto braktisin parimin e ndarjes së pushteteve siç bëri Ilir Meta në 2008-n, kur pasi mallkoi Berishën për ndryshimin e Kushtetutës me Edi Ramën, bëri bashkëqeverisje me Berishën duke harruar fare që amendimet e kishin shndërruar Shqipërinë në një, po të shprehemi me një neologjizëm të Metës, “republikë kryeministrore”. Duke bërë një poshtërsi të tillë, Meta i shërbeu stabilitetit autokratik të vendit, “stabilitet” arrogant që çoi edhe në vrasjet e 21 janarit. Sepse arroganca është tipike e të fortëve, e atyre që kanë pushtet të pakontrolluar, pra dhe e pushteteve autokratike. Dhe a nuk është vrasja e protestuesve të pafajshëm një formë kulmore dhe e përgjakshme e arrogancës së një qeverie? I takon Metës t’u shpjegojë shqiptarëve se në ç’mënyrë pjesëmarrja e tij në qeveri e paska zbutur arrogancën e Sali Berishës në këto 4 vjet. Dhe nëse pas një shpjegimi të tillë, Berisha do na shfaqet më i butë, vetëm atëherë mund të besojmë se një pol i tretë mund të bëjë punë kundër arrogancës së Berishës apo kujtdo tjetër. Por nuk ka se si. Arrogancës në qeveri ia ul kokën drejtësia dhe ligji që nuk e lë qeverinë të bëjë padrejtësi deri edhe krime, duke ndëshkuar padrejtësinë dhe krimet e saj. Arroganca në qeveri i ka rrënjët në pandëshkueshmërinë e korrupsionit të madh qeveritar (jo vetëm atij komunar) pjesë e të cilit, siç e di çdo shqiptar, është edhe vetë Ilir Meta.

 

***

Meta përpiqet t’i fshehë publikut shqetësimin e tij të vetëm që është të qëndrojë në pushtet sa më gjatë, madje pafundësisht. Prandaj deklaron se qenia në qeveri nuk lidhet me ekzistencën e LSI që është krijuar si parti opozitare. Veç edhe sot ka mjaft mbështetës të Metës, që duke dashur të justifikojnë bashkëqeverisjen LSI-PD, këmbëngulin se nëse LSI nuk do të ish futur në qeveri me Berishën, do të qe zhdukur nga faqja e dheut si parti. Ky duket ka qenë edhe shqetësimi i Metës kur u afrua në qeveri me Berishën, pikërisht me atë që u betua se do ta nxirrte në pension për të mirën e Shqipërisë. Duket këtë braktisje premtimesh (në një spot të 2009-s shkruhej: vota për LSI, votë e sigurt kundër Berishës!) dhe destruktim parimesh, Meta e quan konstruktivitet në shërbim të stabilitetit. Dhe shihet qartë se është i gatshëm të bashkohet me këdo, mjafton që të jetë pjesë e qeverisë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Prandaj refuzon të deklarojë se me cilën parti nuk mund të bëjë qeveri. I mban të gjitha shanset e hapura që të mund të hajë nga të gjitha krahët. Është një oportunitet që i lind prej një situate ku krijimi i qeverisë nuk ka të bëjë fare me parime, aq më pak me ato të demokracisë dhe lirisë, as me integrimin që e përdor si maskë, as me të majtën apo të djathtën, me demokracinë apo autokratizmin si alternativa; oportunitet i një situate të krimbur ku krijimi i qeverisë është thjesht një pazar aritmetik dhe vulgar numrash, votash dhe deputetësh. Është kjo braktisje parimesh që të njëjtin autokrat me emrin Berisha, që dikur Meta e kryqëzonte në emër të demokracisë dhe Atdheut, sot ta shpallë si një partner të vlefshëm dhe konstruktiv për stabilitetin. Por mungesa e parimeve nuk është konstruktivitet, edhe pse nuk është çudi të keqperceptohet si i tillë. Edhe nga ndonjë ndërkombëtar si Stefan Fyle. Sepse jetojmë në një klimë imoraliteti ekstrem politik, në një kalbëzim të klasës politike ku si ferment ka kontribut edhe Meta. Dhe është një kalbëzim që mund të na çojë nga s’ta merr mendja, por kurrsesi në një progres drejt Europës, sikundër Meta premton. Është kalbëzimi i shansit të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.

Gazeta “Shqip”

Top Channel