Një ditë pas investigimit të Top Channel që provon se hormoni i mishit
me efekte kancerogjene ‘Boldemec’ mund të blihet me lehtësi në farmacitë
veterinare në vend, Ministria e Bujqësisë deklaron se janë ngritur
grupe pune për kontrollin e rreptë të depove farmaceutike veterinere.

“Këto ditë ne kemi kaluar në kontrolle të imtësishme të gjitha depot farmaceutike. Shumë shpejt do të ngrihet një grup pune për të bërë inventaret më të imëta të të gjithë depove farmaceutike. Do të marrim masa ndaj atyre që fusin këto hormone”, thotë Sotiraq Papa, përgjegjës i Shërbimit Veterinar në Ministrinë e Bujqësisë.

Përdorimi i hormonit ‘Boldemec’ është i ndaluar përmes dy vendimeve të Ministrisë së Bujqësisë, një i vitit 2006, dhe një tjetër i vitit 2011. Por megjithë masat e marra për kontrollin e tij, përgjegjësi i Shërbimit Veterinar pranë Ministrisë së Bujqësisë, zoti Papa thotë se kontrabanda është vështirë të kontrollohet.

“Mbetje të Boldemec të vitit 2010 mund të kene mbetur në farmaci jo të licensuara. Mund të jenë farmaci që përdoren nga veterinerë privatë me një gamë të vogël medikamentesh. Ne nuk e kemi kapacitetit për ta kontrolluar gjithë kontrabandën”, tha Papa.

Pak ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguroi konsumatorët shqiptarë se mishi që tregtohet në vend është i sigurt, ndërsa përjashtoi mundësinë e përdorimit të hormoneve për rritjen artificiale të tyre. Por në realitet ndodh krejtësisht e kundërta. Në këtë pikë ka reaguar edhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, e cila i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Bujqësisë inspektmin e të gjitha produkteve veterinare që qarkullojnë në tregun shqiptar dhe ndalimin e cdo produkti që nga përdorimi i pakualifikuar në blegtori mund të dëmtojë shëndetin e konsumatorëve.          

Top Channel