Pas analizave të bëra në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare
në Tiranë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaron se dyshon për nivele
mbi normat e lejuara të BE-së të aflatoksinës në ato parti qumështi, për
të cilat paralajmëroi autoriteti kosovar.

Kreu i AKU-së shpjegon se analizat do te kryhen në një laborator të akredituar në vendet e BE-së dhe i është kërkuar subjekteve në mënyrë vullnetare të tërheqin produktet e dyshuara.

“Rezultatet paraprake të dala nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare na bëjnë të dyshojmë, që norma e aflatoksinës në ato parti malli të dyshuara, pra që janë të deklaruara edhe nga institucioni homolog në Kosovë është mbi nivelin e Bashkimit Europian. Ne jemi duke punuar për të identifikuar se nga vjen një shkallë e tillë, sepse industrinë e kemi gjatë gjithë kohës nën kontroll”, thotë kreu i AKU-së, Artan Gjergji.

Në deklaratën zyrtare thuhet se vende të ndryshme kanë nivele të ndryshme të lejuara të aflatoksinës, duke marre si shembull Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë norma të lejuara edhe më të larta.

Burime te Top Channel thone se ne Institutin e Sigurise Ushimore dhe Veterinare nuk ka patur reagentë të mjaftueshëm për kryerjen e analizave të aflatoksinës. Nga ana tjeter drejtori i AKU-së deklaron se kjo analize u krye vetem pas sinjalit të ardhur nga Kosova dhe vetëm për këto marka qumështi ndërkohë që nuk janë kontrolluar llojet e tjera që qarkullojnë në treg. Sipas Gjergjit, gjatë vitit 2012 janë kryer 17 analiza për aflatoksinën dhe kanë rezultuar negative.

“Aflatoksina nuk hyn tek analizat rutinore që i bëhen një subjekti, një operatori të biznesit ushqimor që operon në fushën e industrisë së qumështit. Megjithatë ligji për ushqimin lejon Autoritetin Kombëtar të Ushqimor, që në rastin e një denoncimi apo fenomeni të caktuar, ne të hyjmë në veprim dhe të marrin mostra përkatëse”, tha Gjergji.

Analiza per aflatoksine duhet bere qe ne ushqimin që u jepet kafshëve të qumështit nga Instituti i Sigurisë Ushqimore. Më pas kjo analizë duhet të bëhet sërish në menyre te vazhdueshme kur qumeshti ambalazhohet dhe hidhet ne treg nga Autoriteti Kombetar i Ushqimit. Por për mungesë fondesh kjo analize nuk është kryer as nga ISUV dhe as nga AKU.

Ndërkohë që për produktet qe importohen autoritet tona te kontrollit mjaftohen vetem me letren qe i shoqeron ato. Kreu i AKU-së nuk i eshte pergjigjur deri ne fund interesit te gazetareve, lidhur me pyetjet e shumta që kishin për këtë cështje.

Nderkaq, duke iu pergjigjur interesimit te Top Channel firmat e qumeshtit te dyshuar thone se nuk kane cfarë të tërheqin nga tregu pasi produkti eshte shitur. Nga ana tjeter nuk pranojnë që produktet e tyre të jenë të intoksikuara me nivele të larta të aflatoksinës dhe se autoritetet nuk mund t’i bëjnë këto analiza për shkak se nuk kanë laboratorë të akredituar.

Top Channel