Pak ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguroi konsumatorët
shqiptarë se mishi që përdorin është nën kontroll, duke përjashtuar
mundësinë e përdorimit të hormoneve për rritjen artificiale të kafshëve.

Por ajo që ndodh në të vërtetë në farmacitë veterinare në rrethe të ndryshme të vendit, provon të kundërtën.Përmes kamerave të fshehta, u filmua se si hormoni ‘Boldemec’ u ble lehtësisht në farmacitë veterinare të Shkodrës, me qëllimin për t’iu dhënë kafshëve që më pas përdoren për ushqim për njerëzit.

Drejtoria e Doganave thotë se nuk rezulton që hormoni ‘Boldemec’ të ketë hyrë brenda vendit. Por veç Shkodrës, hormonin ‘Boldemec’ mund ta sigurosh fare lehtë edhe në Elbasan. Në një prej farmacive veterinare atje, është blerë me lehtësi hormoni që ka hyrë kontrabandë në Shqipëri. Në fletën shoqëruese të këtij medikamenti thuhet qartë se nuk është i destinuar të përdoret për kafshë që do te theren për konsum human, ose të paktën kafsha nuk duhet të theret deri në 42 ditë pas përdorimit.

Veterinerët ngrejnë alarmin se nëse konsumohet mishi i kafshës që i është injektuar kjo substancë, mund të shkaktohet rritje e kolesterolit në gjak deri në kancer të mëlçisë.

“Dihet që hormonet e tepërta sjellin sëmundje të kancerit të mëlçisë, japin rritje të kolesterolit në gjak dhe njëkohësisht duke prishur balancën hormonale më pas bëhen shkak për fenomene negative në organizmin e njeriut”, thotë veterineri Arben Qafzezi.

Ky hormon e ka zanafillën që në vitin 1930 në botë dhe përdoret për qentë apo kuajt për të rritur peshën e tyre muskulare dhe rrit performancën e kafshës. Vendet e Bashkimit Evropian kanë ndaluar prej vitesh përdorimin e këtij hormoni të rrezikshëm.

Të njëjtën gjë ka bërë edhe Shqipëria përmes dy vendimeve të Ministrisë së Bujqësisë, një në vitin 2006 dhe një tjetër vendim në vitin 2011. Por fakti se kushdo mund të shkojë në farmacitë veterinare dhe të blejë këtë hormon ngre pikëpyetjen: Sa të sigurta janë produktet që konsumojmë, pavarësisht vendimeve që merren nga autoritet shtetërore.

Top Channel