Mallakastër, rrëshqitje masive dheu

26/02/2013 00:00

Një rrëshqitje dheu është verifikuar në orët e para të mëngjesit të së martës në fshatin Ngraçie, në Mallakastër.

Autoritetet lokale njoftojnë se nga masivi i dheut janë përfshirë të paktën 12 banesa, gjashtë prej të cilave janë bërë të pabanueshme.

Autoritetet bëjnë me dije se nga rrëshqitja e dheut nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa shtojnë se po punohet për strehimin gjetkë të banorëve që u janë dëmtuar shtëpitë.

Rrëshqitja e dheut ka ardhur si pasojë e reshjeve të shumta që në ditët e fundit kanë përfshirë vendin, duke shkaktuar probleme në zona të ndryshme të vendit.

Më herët gjatë muajit një rrëshqitje e konsiderueshme toke për shkak të lagështirë dhe dëborës u verifikua në Rrugën e Kombit, ku sasi të mëdha dheu e gurësh ranë mbi shtratin e aksit Kukës-Kalimash, në afërsi të fshatit Mamëz.

Gurët dhe balta ranë mbi një pjesë rreth 70 metra të rrugës, duke ngushtuar ndjeshëm vendin për kalimin e automjeteve.

Veç kësaj, për shkak të pranisë së akullit dhe dëborës që nuk ishte pastruar në të njëjtin aks pati edhe një sërë aksidentesh me mjete që dilnin nga rruga.

Top Channel