Është promovuar në Tiranë botimi UET-press “Vitetet me Tony Blair”, ku në formën e ditarit Alastair Campbell, ish-drejtor i komunikimit në qeverinë e Tony Blair, sjell me detaje momente të rëndësisme gjatë punës me kryeministrin britanik.

Një kapitull i gjatë i kushtohet luftës në Kosovë. Pak përpara kësaj ceremonie, ku merrnin pjesë ambasadorë, akademikë, stundentë dhe kreu i opozitës Rama, zoti Campbell, i njohur si strateg i komunikimit, në një intervistë për Top-Channel, komenton situatën politike në vend, përfshi marrëdhëniet me kryesocialistin shqiptar.

“Është gjithmonë e vështirë, për dikë që nuk jeton këtu, të vijë e të thotë se çfarë duhet të bëni. Ju jeni në një vit elektoral dhe unë mendoj se ekziston një dëshirë e vlefshme në BE për Shqipërinë, që të avancojë në drejtim të Europës. Unë e kam takuar njëherë kryeministrin tuaj, ndërsa Edi Ramën e njoh tashmë mirë, për të cilin mund t’ju them se ka një program të vërtetë për ndryshim, përfshi energjinë për të ardhmen. Unë dua të them se, ai është një person, që i kupton ato që ne bëmë, që nga krijimi laburistëve të rinj, që në fakt ishte një akt i madh strategjik. Kur shikon programin, që ai ka ndërtuar, ka ngjashmëri. Nëse e lexoni këtë libër është qartësisht e dallushme se Edi Rama ka studiuar çfarë bëri Tony Blair, duke marrë vlerat e politikës së tij. Unë jam i majtë, por jeni ju ata, të cilët duhet të vendosni për fatet e vendit tuaj, se kush duhet të jetë kryeministër. Nuk është sekret t’ju them se e pëlqej shumë Edi Ramën”, tha Campbell.

Campbell mendon se Shqipëria duhet t’u qëndrojë larg retorikave nacionaliste, pasi Kosova, thotë ai, është një shembull i dështimit të këtyre ideve.

“Një tjetër leksion, që na vjen nga Kosova, është nacionalizmi, tezat e të cilit u shkrumbëruan për ata, të cilët ndiqnin linjën nacionaliste. Nëse një vend si Shqipëria, që ka si qëllim strategjik ecjen përpara drejt BE-së, është me rëndësi të bëni gjërat që ju kërkohen, në mënyrë për ta avancuar këtë qëllim. Retorikat nacionaliste nuk e ndihmojnë këtë gjë. Është qartësisht e dallueshme, nga qëndrimet që vijnë nga SHBA, Brukseli dhe qeveritë e vendeve të tjera të BE-së. E gjej të vështirë ta kuptoj retorikën, që përdoret në vendin tuaj, ku opozita fajësohet për gjërat që nuk i ka realizuar qeveria. Duhet të ndodhë e kundërta. Shumë njerëz në Europë nuk e kuptojnë një situatë të tillë me Shqipërinë. Prandaj jam i mendimit se është me shumë rëndësi, që kohën e ekonomisë globale dhe zhvillimet e shpejta që pëson bota, Shqipëria të kuptojë se ardhmja është në familjen e madhe europiane, duke hedhur hapat e duhur drejt saj”, përfundoi ai.

Top Channel