Kriza që vjen nga Europa

24/02/2013 16:00

Shpresat se 2013-ta do të ishte viti i daljes nga kriza për Europën, dhe përmirësimit të mundshëm të ekonomisë shqiptare, kanë marrë një goditje të fortë ditët e fundit.

Një javë më parë, të dhënat zyrtare të Institutit Europian të Statistikave treguan se, në tremujorin e fundit të 2012-ës, prodhimi në vendet e BE-së u tkurr më fort se ç’pritej.

Ndërsa të premten, Komisionin Europian, përmbysi parashikimet edhe për vitin 2013. Sipas komisionit, Europa do të jetë në recesion edhe për këtë vit, me prodhimin që vlerësohet të tkurret 0.3 për qind.

Në nëntor, vlerësimi zyrtar ishte se në 2013-n ekonomia europiane do të dilte nga recesioni, edhe pse me një rritje modeste prej 0.1 për qind, që do forcohej vitet e ardhshme.

Vetë përkeqësimi i pritshmërive për ekonominë europiane është një lajm i keq për Shqipërinë, por shqetësimi më i madh vjen nga Italia, partneri më i madh ekonomik i vendit tonë, ekonomia e së cilës pritet të tkurret me 1 për qind, nga 0.5 që vlerësohej dy muaj më parë.

Për shkak të lidhjeve të forta, jo vetëm tregtare, ecuria e ekonomisë italiane është ajo që ka ndikimin më të madh në ekonominë shqiptare.

Ky grafik, i bazuar në të dhënat zyrtare të Eurostat dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, tregon rritjen ekonomike gjatë 5 viteve të fundit te të dy vendet.

Siç duket qartë, kurba e rritjes së prodhimit në Shqipëri ndjek thuajse të njëjtën trajektore me atë të ekonomisë italiane.

Shqipëria la pas një vit të vështirë në 2012-n, ku rritja ekonomike u tkurr në vetëm 1.5 për qind, niveli më i ulët që nga viti 1997.

Përballë kësaj krize, që duket se nuk ka fund, ekonomia po e humbet rezistencën dhe shifrat e fundit të Komisionit Europian janë një sinjal alarmi se, edhe këtë vit ekonomia shqiptare do jetë në presionin e fortë të krizës.

Top Channel