Pas Kroacisë, Bosnjës e Malit të Zi, edhe në Serbi janë gjetur përbërje kancerogjene në qumësht.
Ndonëse fillimisht ishte thënë që, një gjë e tillë nuk është vërtetuar, Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se, pas analizave të mëtejme, është vërtetuar se në disa prej prodhimeve ekziston përbërja e aflatoksinës, që është një nga elementët më kancerogjen.
Kjo ka ardhur si pasojë e thatësisë së lartë dhe kafshët kanë ngrënë misër dhe ushqime të tjera, që kanë pasur përbërje të lartë kancerogjene, ndërsa disa mostra do të dërgohen për testim në Holandë, pasi ka pasur rezultate të ndryshme.
Sipas Ministrisë, nuk ka rrezik të veçantë në këtë fazë, ndonëse informacionet thonë se nga 35 testime, 29 mostra kanë rezultuar me përbërje të tillë.
Asociacioni i Konsumatorëve të Serbisë ka kërkuar dorëheqjen e dy ministrave të Tregtisë dhe atij të Bujqësisë, pasi kanë mbajtur larg publikut informacione të tilla.
Por, pas kësaj, në Serbi është shtruar pyetja se çfarë do të ndodhë me mishin apo kafshët, që kanë prodhuar qumështin e tillë.
Top Channel