Katër anëtarë të kabinetit qeveritar firmosën të mërkurën marrëveshjen e bashkëpunimit për realizimin e projektit që ofron internet falas në 1250 ambjente të universiteteve, bashkive dhe komunave.

Deri tani shërbimi falas i internetit ofrohej nëpërmjet zyrave postare në të gjithë vendin, ndërsa me projektin e ri, sipas kryeministrit Berisha, aksesi në internet do të bëhet më i lehtë për çdo qytetar që nuk ka mundësi ta ketë atë në shtëpinë e tij.

Kryeministri Berisha tha se realizimi i këtij projekti e shndërron Shqipërinë ndër të paktat vende në botë që u ofron qytetarëve të saj internet falas.

Kreu i qeverisë theksoi se, që prej vitit 2006, kur nisi zbatimin projekti i Shqipërisë Dixhitale, shtrirja e internetit në vend ka pësuar transformim të jashtëzakonshëm, duke u rritur në 60 për qind nga 4.8 për qind që ishte në vitin 2005.

Kryeministri tha se shumë shpejt qytetarët do të njihen me vendime të rëndësishme për realizimin e projektit Shqipëria Mobile, nëpërmjet të cilit qytetarët do të marrin gradualisht shërbimet publike nëpërmjet telefonit celular.

Top Channel