Klandestinë shqiptarë drejt Britanisë

20/02/2013 16:10

Një grup kriminal që trafikonte emigrantë klandestinë shqiptarë nga Italia në Britaninë e Madhe është shkatërruar nga policia italiane në qytetin e Torinos.

Sipas agjencive italiane të lajmeve, grupi kriminal prodhonte dhe pajiste shqiptarët me dokumenta falso dhe me biletën e avionit, kundrejt një shume të caktuar parash.

Sipas burimeve, ka qenë policia torineze që ka arrestuar dy persona dhe ka denoncuar 28 të tjerë, 11 prej të cilëve anëtarë aktivë të grupit dhe të tjerët mbështetës.

Grupi kriminal “kujdesej” për klientët që nga mbërritja e tyre në Itali deri tek nisja për në Mbretërinë e Bashkuar, duke i bërë që të dukeshin udhëtarë të vërtetë.

Ngjarja në fjalë është një tregues se kriza ekonomike që ka goditur Italinë e ka hequr këtë vend nga lista e shteteve atraktive për emigrantët, të cilët po zgjedhin vende të tjera perëndimore.

Për shkak të krizës, emigrantët klandestinë nga Ballkani por edhe ata nga vendet Afrikane kanë filluar të preferojnë pikërisht Britaninë, Gjermaninë dhe vendet e Beneluksit.

Top Channel