22-vjetori i rrëzimit të diktatorit

20/02/2013 18:50

Me mijëra të rinj dhe të reja demokratë kanë mbushur sheshin e Qytetit Studenti për të kujtuar 20 shkurtin e 1991-shit. Po nga ky shesh, me mijëra të rinj 22 vjet më parë u nisën drejt qendrës së Tiranës për të rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës.

I pritur me ovacione, kreu i demokratëve Sali Berisha vlerësoi maksimalist atë që ai e quajti “sakrificën e madhe të studentëve”.

“Nder përjetë studentëve të lirisë për kontributin e tyre. Nder përjetë qindra mijëra qytetarëve të Tiranës dhe Shqipërisë që përmbysën më 20 shkurt diktaturën më të egër në Evropë, shtatoren e Enver Hoxhës, Hitleri i shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Dy dekadat e shkuara, tha Berisha, nuk kanë qenë të lehta, por ne duhet të jemi krenarë, theksoi ai, për arritjet. Zoti Berisha foli edhe për mosvotimin e tre ligjeve të integrimit nga opozita, duke i quajtur deputetët e opozitës si ndërtuesit e murit të turpit dhe blllokimit. Kryeministri Berisha dha edhe një mesazh për zgjedhjet e qershorit.

“Shqiptarët më 23 qershor do të votojnë për integrimin e tyre në Evropë, për lirinë dhe të drejtat, për Shqipërinë e zhvilluar dhe evropiane. Erdhi ndryshimi, ne do fitojmë. Përpara!”, tha Berisha.

Në këtë aktivitet, krahas figurave të larta të PD, mori pjesë edhe Eduart Selami, njëri prej themeluesve të kësaj force politike, i rikthyer së fundmi nga Amerika për të qenë pjesë e ekipit të demokratëve në zgjedhjet e 23 qershorit.

Top Channel