“Statusi, nga drejtësia për 21 janarin”

16/02/2013 00:00

Roderich Kiesewetter, raportuesi i partisë më të madhe në Gjermani për
Shqipërinë, i bashkohet, siç pohoi dhe vete në intervistën e dhënë Deutsche Welle-s, kritikave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me
vendimin gjyqsor për të shpallur të pafajshëm pjesëtarët e Gardës së Republikës të akuzuar për vrasjen të tre demonstruesve në 21 janar
të 2011-ës.

“Nuk i njoh ne detaje rezultatet e hetimeve, por kur prokuroria konstaton se bëhet fjalë për vepra penale të shkallës më të rëndë, pasi përndryshe nuk kërkohen 23 dhe 25 vite dënim dhe më pas vjen një vendim pafajësie, këtu lipset një hetim i veçantë. Në Gjermani kjo do të çonte ne ngritjen e nje komisioni hetimor parlamentar, sepse ka paqartesi te medha për mënyrën sesi u arrit në këtë vendim. Po, e dëshirojmë një drejtësi të pavarur edhe në Shqipëri, por midis kërkesës për 23 dhe 25 vjet heqje lirie dhe shpalljes së pafajësisë ka një dallim gjigant, dallim i cili është i pakuptueshëm për vendet e Bashkimit që i duan të mirën Shqipërisë, e ku ben pjese dhe Gjermania. Për këtë arsye mendoj se nje çeshtje e tille kerkon hetim, aq më tepër ne nje kohe kur Shqipëria synon të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian ose së paku të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Besoj që këtu së paku duhet shmangur përshtypja se vendimi mundtë jetë arritur në rrugë jo të ligjshme”, tha Kiesewetter.

Kiesewetter shton me tej se ‘që në janar 2011 e kam kritikuar sjelljen e autoriteve të drejtësisë. Vendimi për pafajësi nuk mund të jetë përfundimi i të gjitha hetimeve’, thote ai. Dhe duke pasur parasysh perpjekjet e Shqiperise per anetaresim, nje vendim i tille fiton peshë të veçantë.

Deputeti demokristian shton me tej se BE-ja nuk mund t’i lejojë vetes që të kandidojnë për aderim shtete, të cilat nuk kanë trajtuar sipas rregullave të caktuara pjesë të rëndësishme të çështjeve të hapura juridike.

“Apeli im për përgjegjësit në Shqipëri është që të kujdesen bashkarisht për zbardhjen e ngjarjeve dhe të bëjnë reklamë për vendin jashtë”, shprehet ai. “Blloku eshte i interesuar te dije perse u arrit ne kete vendim,  pra duhen zbuluar të gjitha të dhënat dhe duhet të bëhet e qartë që drejtësia shqiptare ka interes në zgjidhjen e rasteve. Nuk lejohet të krijohet përshtypja që këtu mbulohen pazarllëqe. Nëse nuk kryhet kjo zbardhje e plotë, atëherë edhe të gjithë përkrahësit e statusit të kandidatit për Shqipërinë do të tërhiqen dhe do të thonë: Shqipërisë iu dashkërka më shumë kohë. Shpresoj që ky mesazh të kuptohet në Shqipëri dhe që Shqipëria ta mbledhë veten dhe t’i zgjidhë shpejt e pa vonesë në javët e ardhshme incidentet e 21 janarit”, vazhdon deklarata e tij.

Top Channel