Historia e Florijes zbulon “mashtrimin”

16/02/2013 00:00

Historia e Florije Pecit ka rikthyer në vëmendje trajtimin e studenteve
të aksidentuara në Himarë, që në atë kohë mori sensibilizimin e të
gjithëve, por jo të atyre që duhej të përgjigjeshin financiarisht për
to. Kompania tek e cila ishte siguruar autobusi i transportit të
studenteve, nuk ka dëmshpërblyer ende sigurimin e shëndetit për të
mbijetuarat.

Ato, tashmë kanë depozituar dosjet e tyre pranë kësaj kompanie, por edhe pse kanë kaluar tre muaj nga ky proces, të mbijetuarat ende nuk kanë mundur t’i marrin paratë për dëmtimet që pësuan. Edhe pse kanë kontaktuar disa herë me drejtues të kompanisë, ata i kanë zvarritur. Një pjesë e mirë kanë ende shenjat në fytyrë si pasojë e aksidentit, një pjesë ka shëndetin e dobët dhe një pjesë kërkon ende trajtim mjekësor, por asnjë nga të dëmtuarat nuk e ka përfituar këtë dëmshpërblim. Nga informacionet që ato kanë mbledhur, shuma që i kalon një miliard lekë është konfirmuar, por për ta tërhequr, tashmë është e vështirë. Nga të dhënat e tyre, tashmë kompania e sigurimeve ka paguar detyrimet për Spitalin austriak, ku u mjekuan dy vajzat në koma, ndër të cilat edhe Florije Peci. Për mjekimin e dy vajzave janë disbursuar rreth 150 mijë euro, ndërsa për të dëmtuarat e tjera asnjë fond minimal. Studentet e aksidentuara e përfituan këtë siguracion nga kompania e transportit të autobusëve, kontratë që parashikonte të merrte përsipër edhe palët e treta të përfshira në aksident.

Studentja

Doriana Kumria thotë se ato vetë i kanë bërë të gjitha përpjekjet që ta përfitonin këtë siguracion që u nevojitet, pasi shumë prej tyre kanë ende ekzaminime shëndetësore dhe ndërhyrje për të bërë deri në rikuperimin e plotë. “Ne i kemi shkruar edhe Kryeministrit për këtë, por nuk morëm ndonjë përgjigje. Dokumentacioni që kemi paraqitur ka qenë i plotë, por nuk e dimë pse na zvarrisin kaq gjatë”, tregon Doriana, teksa flet për “Shqip” në lidhje me problemin që nuk po gjen zgjidhje. Mësohet se nga dëmshpërblimi i kompanisë janë paguar 75 mijë euro për Spitalin austriak, ku u kurua Florija dhe 65 mijë euro për Eriselda Guberen. Këto para, sipas studenteve, janë dhënë për Spitalin austriak, por duket se për to nuk po mendon askush më.

Senati akademik

Këtë shqetësim e ka shprehur edhe Julian Hoxhaj, anëtar i senatit akademik dhe përfaqësues i studentëve, i cili ka dënuar edhe ngjarjen e ndodhur në dëm të Florije Pecit, duke kërkuar zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe nxjerrjen e përgjegjësive. Ai i është bashkuar edhe shqetësimit të studenteve të mbijetuara nga aksidenti që nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin nga kompania e sigurimeve. “Është për të ardhur keq që rreth nëntë muaj pas aksidentit të Himarës, kompania e sigurimeve ende nuk ka dëmshpërblyer studentet e aksidentuara. Kjo çështje, tashmë do të ndiqet në rrugë ligjore dhe javës që vjen, është lënë një takim me Avokatin e Popullit, Igli Totozani, me qëllim që ai të marrë në dorë çështjen dhe të bëjë të mundur zgjidhjen e saj. Personalisht, shpresoj që zëri i studenteve dhe i familjarëve të tyre të dëgjohet dhe dëmshpërblimi që u takon t’u jepet sa më parë. Ne kemi përgatitur një kërkesë zyrtare që do t’u dërgohet të gjitha organeve kompetente që të përfundojë odiseja e dëmshpërblimit. Kërkesa është firmosur nga studentet e aksidentuara”, shprehet Hoxhaj.

Gazeta “Shqip”

Top Channel