Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se mungesa e unitetit mes vendeve anëtare të BE-së për statusin e Kosovës është pengesa kryesore për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.

“Ngecjet për proçesin e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk janë teknike, por kryekëput politike. Këto pengesa janë në Bruksel dhe ndërlidhen drejtpërdrejtë me mungesën e unitetit të vendeve të Bashkimit Evropian sa i përket statusit politik të Kosovës. Kjo vonesë e Brukselit është e padrejtë në raport me Kosovën”, ka thënë Thaçi në një intervistë për “REL”.

Kryeministri është shprehur se, qytetarët kosovarë janë trajtuar si qytetarë të dorës së dytë në ish-Jugosllavi dhe ka theksuar se nuk dëshiron që një gjë e tillë të bëhet edhe nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi rreth 2 milionë qytetarë, jemi njerëz që e njohim dhe e kuptojmë Evropën. Jemi evropianët më të rinj dhe padrejtësisht po vonohemi për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian”, ka pohuar Thaçi.

Ai ka nënvizuar se institucionet e Kosovës i kanë zbatuar në një kohë rekord standartet dhe kriteret e nevojshme dhe se ato do të vazhdojnë të punojnë edhe për plotësimin e rekomandimeve të reja.

“Por nuk ka qenë e arsyeshme dhe nuk është e justifikueshme që për Kosovën të ketë standarte të dyfishta në raport me vendet tjera që e kanë kaluar këtë proçes”, ka vijuar Thaçi.

Ndërkaq, i pyetur për dialogun me Beogradin, Thaçi ka thënë se në fund të dyja vendet do të arrijnë tek normalizimi i marrëdhënieve duke gjetur edhe një zgjidhje për integrimin e komunitetit serb në veri, në kuadër të institucioneve të Kosovës.

“Ne deri tani kemi zhvilluar katër takime me kryeministrin Daçiç. Takimet kanë qenë produktive dhe konstruktive. Dua të besoj që takimi i ardhshëm, në veçanti pas takimit mes presidentëve Jahjaga dhe Nikoliç, do të paraqesë një frymë të re. Kështu që, ky takim, që do të ndodhë së shpejti, do të jetë një kapitull i ri në proçesin e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shtuar se, pret që në veri të Mitrovicës të fillojë shpërbërja e strukturave serbe, përgjegjësi për të cilat ka drejtpërdrejt kryeministri dhe qeveria e Serbisë.

Top Channel