PS: Berisha, përralla për ekonominë

13/02/2013 18:20

Deklaratat e kryeministrit Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë për arritjet në ekonomi, biznes, bujqësi dhe shëndetësi, PS i quajti gënjeshtrat e radhës.

Milena Harito, anëtare e grupit të punës për programin, deklaroi se shqiptarët e dinë vet më mirë se kushdo tjetër realitetin ku jetojnë.

“Kryeministri sot tha se ekonomia ka lulëzuar në këto 8 vjet! Atëherë si ka mundësi që vetëm në 4 vitet e fundit janë humbur plot 50 mijë vende pune? Si ka mundësi që investitorë të mëdhenj të huaj largohen dita ditës nga Shqipëria? Kryeministri tha se po ndërmerr një sërë reformash për fshatin, por pyetja që të gjithë shqiptarët që jetojnë në fshat bëjnë është: ku ishte ky kryeministër 8 vjet? Përse nuk u kujtua për plot dy mandate që të ndihmojë fshatin, por e la atë në harresë të plotë? Përse kujtohet vetëm në prag fushate Sali Berisha për fshatin shqiptar dhe kopjon programin e Partisë Socialiste?”, u shpreh Harito.

Zonja Harito në vijim të deklaratës tha se si doktor Sali Berishës i takonte të mos gënjente, të paktën  për sa i takon shëndetësisë.

“Por jo, sërish ai tha se spitalet tona janë më të mirat në botë, a thua se shqiptarët nuk e dinë vetë se në ç’gjendje janë katandisur ato. Ne e përsërisim ndryshimin mes nesh dhe Sali Berishës. Për Sali Berishën shërbimi shëndetësor është një mall që duhet të shitet dhe të blihet. Për ne, shërbimi shëndetësor është një e mirë publike, për të cilën garant do të bëhet shteti. Prandaj programi ynë për një Rilindje Shqiptare do të mundësojë shërbim shëndetësor sipas nevojës, jo sipas xhepit”, theksoi Harito.

Top Channel