“Musical”-i i gjimnazit “Partizani”

13/02/2013 18:00

Rreth 30 nxënës të gjimnazit “Partizani” kanë ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar një nga pjesët më të bukura të dashurisë: “Romeo e Zhuljeta”.

Në mënyrë mjaft origjinale, në formën e një “musical”-i, projekti ndërlëndor për më shumë se dy muaj ka angazhuar jashtë procesit mesimor, orë e pa orë mësues, nxënës, madje dhe prindër të gjimnazistëve.

“Vdekja vishet me të bardha” është quajtur shfaqja, një aktivitet që jo vetëm nxjerr në pah aftësitë artistike të nxënësve, por që i afron ata akoma më shumë me shkollën.

Me shume se kushdo tjeter kete e konfirmojne prinderit. “Fëmijët janë shumë të përshirë me këtë musical dhe kjo është një gjë shumë e mirë për formimin e tyre”, thotë një nënë.

Madje, disa të tjerë kanë vënë re se gjatë kohës së përgatitjes së shfaqjes, fëmijët e tyre i kanë bërë akoma më me shumë dëshirë mësimet e shkollës.

“Këto aktivitete që organizon shkolla japin formim, por ka edhe aktivitetin brenda, që e bën fëmijën të marrë me më shumë dëshirë shkollën, mëson më shumë”, shtoi një tjetër prind.

Sigurisht, ka pasur dhe nga ata prinder qe e kane përjetuar me pak frikë kohën e provave duke parë pasionin për shfaqjen.

“Kisha frikë që do të linte pas mësimet, por është aq e dhënë pas shfaqjes sa kjo ka ndikuar vetëm pozitivish”, shtoi një tjetër nënë.

Po përveç afeksionit që krijojnë këto aktivitete me shkollën, shfaqje të tilla mbeten kujtime të paharrueshme në jetën e një gjimnazisti.

Top Channel