Gjyqi i Ballës me Argita Berishën

13/02/2013 00:25

Nisi në Gjykatën e Tiranës shqyrtimi i padisë së Argita Berishës, vajzës së kryeministrit, ndaj deputetit të Partisë Socialiste, Taultant Balla.

Ky i fundit akuzohet nga Argita për shpifje dhe shkaktim të dëmit moral, si pasojë e deklaratave të pavërteta, të bëra publike nga deputeti Balla, në lidhje me mënyrën e pasurimit të fëmijëve të kryeministrit.

Si dëmshpërblim, paditësja Argita Berisha kërkon një shumë prej 2,5 milionë lekësh.

Pas nisjes së shqyrtimit, deputeti Balla, i pranishëm në seancë, i kërkoi Gjykatës të rezervonte të drejtën e tij për të paraqitur prova në lidhje me deklaratat që ka bërë, në seancat e ardhshme.

Ndërkohë, ai i kërkoi Gjykatës të thërrasë në cilësinë e dëshmitarit biznesmenin pakistanez, Zanfar Ansar, i cili denoncoi edhe publikisht kërkesën prej 3 milionë eurosh, që Argita i kishte bërë për të lejuar investimet e tij në Shqipëri, të cilat kapnin një shumë totale prej 100 milionë euro.

Pas seancës gjyqësore, deputeti Taulant Balla u shpreh për gazetarët, se nuk kishte asnjë iluzion që kjo gjykatë do të mund të japë drejtësi.

“Sigurisht që nuk kam asnjë iluzion se kjo gjykatë, që është kthyer në aneksin e kuzhinës së Sali Berishës, kjo gjykatë, që fal vrasësit e 21 janarit me urdhër të Sali Berishës dhe me vendime gjykate, që hartohen në zyrën e Sali Berishës dhe dërgohen në gjykatë nga ministri i Drejtësisë së Sali Berishës, mund të gjykojë në mënyrë transparente dhe të drejtë edhe një çështje civile, ku paditësja Argita Berisha Malltezi nuk konsideron shpifje të gjitha deklaratat, që ne kemi bërë për sa i përket mënyrës së pasurimit të saj, por merret me bashkim fjalësh për të ndërtuar fjali, që nuk qëndrojnë as në gjuhën shqipe, por që nuk qëndrojnë as në vërtetësinë e tyre. Dua të them se, të paktën sot në gjykatë mësuam se Argita Berisha pranon faktin që paguhet me 12 milionë lekë në muaj, që merr 146 milionë lekë në vit, që merr 40 milionë lekë qira në vit dhe, sigurisht, që ka disa qindra metra katrorë shtëpie, këtu në Tiranë, këto të paktën Argita Berisha i ka pranuar”, u shpreh Balla.

Top Channel