Me diell dhe temperatura relativisht të larta, si pritet moti për ditën e sotme
Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin e plotë mbi cështjen e “21 Janarit”. Në vendim jepet arsyetimi juridik i treshes së gjyqtarëve të cështjes për vendimin e pafajësisë ndaj Ndrea Prendit, ish-komandantit të Gardës së Republikës dhe gardistit Agim Llupo.
Prendi dhe Llupo akuzoheshin nga prokuroria për “vrasje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave parashikuar nga gërma “Ë” e nenit 79 të Kodit Penal.
Ashtu si në shpalljen e vendimit gjashtë ditë më parë, edhe në arsyetimin e plotë të Gjykatës së Tiranës thuhet se nuk ekzistojnë prova bindëse që të vërtetojnë akuzën e “vrasjes me dashje të kryer në rrethana të tjera cilësuese, e kryer kundër dy ose më shumë personave”, vepër penale kjo e parashikuar nga gërma “Dh” po në Kodin Penal.
Zbardhja e vendimit të plotë të Gjykatës së Tiranës i hap rrugë apelimit të cështjes nga Prokuroria e Përgjithshme, apelim që duhet të ndodhë para fundjavës.
Wolfarth: Shteti i së drejtës në dyshim
Diplomatëve që shohin të diskutueshëm shtetin e së drejtës në Shqipëri në rastin e vendimit për 21 janarin, i shtohet edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wolfarth.
Duke folur për herë të parë për këtë çështje, Wolfarth nënvizoi se njerëzit janë vrarë në rrugë dhe pandëshkueshmëria vë në diskutim drejtësinë.
“Gjykatat vendosin në bazë të ligjit, por ndjenjat e mia janë në radhë të parë për familjet e viktimave. Dhe, bazuar mbi shtetin e së drejtës, do të theksoja gjithashtu se pandëshkueshmëria, kur ka njerëz të vdekur në rrugë, vë padyshim në pikëpyetje sistemin e drejtësisë”, deklaroi Wolfarth.
Këtë koment kreu i presencës së OSBE-së e bëri pas takimit me trupën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku ai u interesua për proçesin e teknologjisë së re që do të përdoret në këto zgjedhje, në qarqet Tiranë dhe Fier.
Top Channel