Shqiptarët konsumojnë mish me hormone të ndaluara

11/02/2013 00:00

Shqiptarët e pëlqejnë shumë mishin e tyre vendas, duke besuar se
produkti është i pastër, bio, por pakkush e di që shpesh mishi që
konsumojnë përmban hormone të rrezikshme, të cilat janë të ndaluara në
vendet e Bashkimit Europian.

Konsumatorët shqiptarë kanë preferencë në mënyrë të veçantë për mishin e lopës, për të cilën ata mendojnë se është rritur në kullotë, duke qenë të sigurt për cilësinë e lartë dhe shijen, nëse do të krahasohet kjo me mishin e importit.

Megjithatë, “Balkan Insight” ka siguruar dokumente, të cilat tregojnë se mishi vendas i lopës mund të mos jetë i sigurt dhe bio, organik, ashtu siç mendon konsumatori shqiptar.

Për pesë vite me radhë, autoritetet shqiptare kanë lejuar importin dhe përdorimin e bagëtisë së majme, i shtuar nëpërmjet hormonit të njohur si Boldemec LA.

Përbërësi kryesor është një steroid i quajtur Boldenone, i krijuar për përdorim veterinar, kryesisht për trajtimin e kuajve.

Pavarësisht kësaj, sportistët shpeshherë e përdorin atë për doping, si dhe ata që merren me badibillding, e përdorin po ashtu për rritjen e peshës dhe vendosjen e muskujve.

Sportistët e përfshirë në disa skandale dopingu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë këtu kryesisht kampionatet e futbollit, bejsbollit, boksit e kanë marrë hormonin në fjalë.

Vendor gives change back to a customer at pork stall in BeijingPavarësisht dekreteve shqiptare mbi përdorimin e hormoneve, Boldemec LA gjendet në listën e lejuar të barnave veterinare për vite me radhë.

Ekspertët sqarojnë se konsumi i mishit të rritur me Boldenone mund të jetë i rrezikshëm në një kohë të gjatë, për shëndetin e qytetarëve.

Ajo që e bën edhe më të rrezikshme përdorimin e hormoneve te kafshët, është edhe prirja që kanë fermerët shqiptarë për të therur bagëtinë, relativisht në moshë të re.

Një praktikë e tillë nuk e lejon kryerjen e funksionit të metabolizmit te kafsha, duke e transferuar në mënyrë të rrezikshme dozën e steroidit te konsumatori.

Kompania peruane “Agrovet”, që është edhe prodhuesja e Boldemec LA, nuk u përgjigj pyetjeve tona lidhur me rrezikun potencial te njerëzit, të cilët konsumojnë mish të rritur me Boldenone.

“Agrovet” reklamon se produkti lejon një çlirim të ngadaltë të komponentëve Boldenone, gjë që u lejon kafshëve të rritura në kullotë të majmen më shpejt, duke përmirësuar procesin e metabolizmit. Ajo kontrollon edhe parazitët.

Dokumentacioni i përftuar nga “Balkan Insight” tregon se Shqipëria përfshin Boldemec LA në listën e produkteve të lejuara dhe barnave veterinare më 26 qershor të vitit 2007, dhe kjo është leje që qëndron e vlefshme të paktën deri në qershor 2012-s.

Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e ka mohuar që Boldemec LA është aprovuar aktualisht për ushqimin dhe rritjen e bagëtisë, duke pretenduar se është hequr nga qarkullimi në treg në vitin 2009.

Sotiraq Papa, kreu i Drejtorisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në Ministrinë e Bujqësisë, tha se: “Është hequr nga qarkullimi më 2009-n dhe është aprovuar para këtij viti për trajtimin e qenve dhe të maceve”.

Ndryshe nga sa thotë ministria, dokumentet tregojnë se hormoni ishte akoma në listën e lejuar të barnave për përdorim dhe tregtim veterinar, të cilat janë dërguar nga dikasteri në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.

Produkti farmaceutik nuk sugjerohet nga prodhuesit si i përshtatshëm për trajtimin e kafshëve shtëpiake.

Certifikata e regjistrimit në Shqipëri, e siguruar nga “Balkan Insight”, po ashtu nuk tregon që produkti ishte i kufizuar për përdorim të tillë.

Një përfaqësi zbulimi nga Komisioni Europian i Shëndetit dhe Kryesia e Përgjithshme e Konsumatorit në Shtator të 2010-s, nxori në dritë se produkte që përmbanin Boldenone shiteshin haptas në farmacitë veterinare në Shqipëri.

“Delegacioni identifikoi se një numër produktesh i përcaktuar për përdorimin e ushqimit të kafshëve, të autorizuara dhe lejuara në Shqipëri, përmbanin substanca të cilat qartazi janë të ndaluara në Bashkimin Europian, duke përfshirë këtu edhe përmbajtjen e steroidit boldenone”, tha përfaqësia në relacionin e përgatitur.

“Rekomandimet e etiketës këshillonin së fundmi se produkti përdorej te bagëtia, dhe në një krahinë u konfirmua se steroidi përdorej jashtë udhëzimit te dhentë”, shtohej në të njëjtin raport.

Ministria e Bujqësisë, në qershor të 2006-s, ndaloi reklamën, grumbullimin dhe përdorimin e substancës me veprim hormonal si Boldenone.

Legjislacioni shqiptar për shërbimin veterinar miratoi në 2011-n, përdorimin e hormoneve vetëm kur ato janë të aprovuara nga Komisioni Europian dhe vetëm për kërkime shkencore dhe terapeutike.

Kompania “Agrovit” ka licencë eksporti për Boldemec LA vetëm në Shqipëri dhe në Qipron Veriore. Të gjitha vendet e Bashkimit Europian e kanë ndaluar përdorimin e hormoneve te bagëtia për më shumë se dy dekada.

Siguria ushqimore dhe policia veterinare është një nga kërkesat dhe sfera ku BE-ja kërkon përparim nga Shqipëria për sa i takon procesit të integrimit.

Megjithatë, raporti i fundit i Komisionit Europian, botuar në nëntor të vitit të kaluar, tërheq vëmendjen për progres të vonuar në këtë fushë, këto vitet e fundit.

Një studim në sektorin e industrisë së mishit, i administruar nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Teknik, lavdëron mishin vendas, ndërsa mishi i “mistershëm”, i ngrirë, që vjen nga importi, është shumë më i lirë.

Studimi vëren se shumë fermerë nuk janë të specializuar në prodhimin e mishit dhe i therin bagëtitë e tyre në moshë të re, përpara se ata të shtojnë peshën e nevojshme. Kështu ata plotësojnë edhe kërkesën për mish të njomë.

“Duke qenë se konsumatori kërkon mish të njomë, përdorimi i hormoneve te bagëtitë e reja është shumë i rrezikshëm”, tha një ekspert nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, i cili preferoi të mbetej anonim.

“Boldemec LA gjendet lehtësisht në farmacitë lokale veterinare, por produkti nuk përdoret siç duhet nga fermerët”, shtoi burimi.

Bruno Le Bizec, profesor i “Nantes-Atlantic College of Veterinary Medicine”, në Francë, tha për “Balkan Insight” se rregullat e BE-së ndalojnë përdorimin e Boldenone për ushqyerjen dhe rritjen e kafshëve, sepse niveli i toksinave janë tepër të larta nga sa lejojnë kriteret e Bashkimit Europian.

“Toksinat e kafshëve të ushqyera me Boldenone janë tërësisht të rrezikshme kur konsumohen nga njerëzit”, tha Le Bizec.

Ai shtoi se çështja e steroideve është pjesë debati në komunitetin e shkencëtarëve, edhe sikur sasia e tyre në produkte të jetë 100 ,madje 1 mijë herë më e vogël sesa e gjejmë te Boldemec LA, për shkak të rrezikut të lartë te konsumatori.

Profesori sqaroi se të konsumosh mish të rritur me Boldenone mund të shkaktojë disa probleme e fatkeqësi shëndetësore.

“Është kritike kur mishi i rritur me Boldenone konsumohet sidomos nga fëmijë të vegël dhe bebe, nën efektin e steroideve”, tha eksperti.

Doktor Saskia Sterk, një ekspert i steroideve në Institutin Rilikt në Holandë, konfirmon se konsumi i mishit të rritur me Boldenone dhe steroide të tjera, sidomos në popullatën vulnerabël, është i rrezikshëm.

“Unë përkrah legjislacioni e BE-së lidhur me këtë çështje, sepse kjo ka efekte për një kohë të gjatë në shëndetin e popullatës, si dhe për shëndetin e bagëtisë”, tha ekspertja.

“Po ashtu, është një praktikë ekonomike e pandershme, kur ju krahasoni prodhimin e mishit te fermerët, të cilët nuk përdorin të tilla substanca”, përfundoi dr. Sterk.

Gazeta “Shqip”

Top Channel