PD: Rama, fushatë kundër gjyqtarëve

10/02/2013 15:15

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetes Mesila Doda, akuzoi kreun e opiztës Edi Rama si organizator të sulmeve ndaj gjyqtarëve që shqyrtuan çëshjen e 21 janarit.

”Kjo fushatë është ideuar dhe organizuar nga Edi Rama. Është një sulm i padrejtë që u bëhet gjykatësve me një qëllim të qartë për të penguar zbardhjen e plotë të 21 janarit. Ne kemi kërkuar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, duke nisur nga organizatorët, deri te financuesit dhe gjithë hapat e tjerë që çuan në ngjarjen e 21 janarit”, akuzoi Doda.

”Nuk mund të ketë justifikim nga Rama për të penguar zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Ne i kërkojmë Ramës që të mos përdorë vendimet e gjykatave për të tensionuar jetën në vend. Nuk mund të mbulohet mosvotimi i tre ligjeve, madje edhe për shkakun e çështjes së Fierit që tashmë është harruar nga vetë socialistët, duke sulmuar institucionet dhe gjykatat”.

Deputetja Doda në deklaratën e saj u ndal edhe 3 ligjet e integrimit.

”I bëjmë thirrje zotit Rama që të heqë çdo pengesë dhe të votojë për ligjet e mbetura pezull, që të marrim statusin e vendit kandidat. i bëjmë të qartë se nuk ka asnjë strukturë që të pengojë rrugën e intergrimit europian për shqiptarët, ata të cilët shohin sot modelin e bllokimit të procesit të integrimit, sulmit dhe dhunës verbale e joverbale”, deklaroi Doda.

PD akuzon Ramën për pasurinë

Ndërkohë, nëpërmjet zëdhënëses së Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, u rikthyen akuzat dhe kërkesa për transparencë ndaj liderit të opozitës, Edi Ramës.

”Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama, prej më shumë se një muaj fshihet dhe refuzon të bëjë transparencën që premtoi për disa afera  të tij korruptive personale dhe familjare siç janë:

1- Origjina e mbi 1 milion euro investim në pallatin në pajë 5 katësh 900 metër katrorë sipërfaqe ndërtimi të familjes

2- Burimi i 100 milion lekëve kredi pa interes që zonja Basha ka deklaruar në ILDKP.

3- Çmimi i vërtetë i tokës 8 mijë metër katrorë të truallit të rezidencës së tij me gjatësi themelesh 57 m në malin e Dajtit, deklaruar se është blerë me vlerën qesharake 1,3 euro metrin katror.

Unë jam sot këtu, për t’i kujtuar zotit Rama se çdo ditë heshtje dhe fshehje e tij, rëndon gjithnjë e më shumë skandalet e tij, prandaj i bëj thirrje zotit Rama që të mos fshihet, por t’i paraqesë publikut që po pret me padurim faturat e parave që kanë deklaruar në tatime si dhe faturat e pagesave bërë firmës së ndërtimit nga investitorët e pallatit në pajë, vëllai i bashkëshortes tuaj i vetëpunësuar, sipas regjistrit tatimor dhe xhaxhai i saj pensionist, në rast se ato fatura ekzistojnë”, deklaroi zëdhënësja Vorpsi.

Top Channel