Iniciativa e Avokatit të Popullit

10/02/2013 17:45

Sekretari i përgjithshëm i forumit europian të aftësisë së kufizuar, Rudolfo Catani, i kërkon qeverisë shqiptare të çojë në fund iniciativën e Avokatit të Popullit, për të vendosur si numrin 2 të këtij institucioni një person me aftësi të kufizuara.

“Kjo një nismë përmbush një ndër pikat themelore të konventës së OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, e cila është ratifikuar edhe nga Shqipëria. Një iniciativë e tillë duhet të shërbejë si model për të gjitha institucionet shqiptare, ndaj besoj se kandidatura e paraqitur nga Avokati i Popullit do të votohet shumë shpejt në parlamentin shqiptar”.

Ndonëse duket sikur propozimi i Avokatit të Popullit, Igli Totozani, për të votuar në parlament kandidaturën për numrin dy, që do të drejtojë këtë institucion, është lënë në harresë, kreu i këshillit kombëtar të aftësisë së kufizuar, Sinan Tafaj, beson se kjo nismë nuk do të neglizhohet.

“Parlamenti shqiptar ka rregulloren e tij, ka afatet e veta dhe ngarkesën e tij, kështu që ne besojmë se në përputhje me ngarkesën që ka dhe prioritetet, do ta shqyrtojë edhe si një prioritet të rëndësishëm. Nga sa kam patur kontakte me deputetë të ndryshëm të të dy krahëve, veçanërisht të krahut të mazhorancës, opinioni ka qenë pozitiv, kështu që mendoj se të gjitha sinjalet janë pozitive”, tha Sinan Tafaj, president i këshilit të aftësisë së kufizuar.

Në pritje për futjen në axhendën e parlamentit, miratimi i kandidaturës së propozuar, kreu i forumit europian të aftësisë së kufizuar, si dhe këshilli i aftësisë së kufizuar në Shqipëri theksojnë se respektimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara është një ndër prioritetet e integrimit të Shqipërisë në BE.

Top Channel