Ina Rama: Pafajësia? Komentet i kam ezauruar

09/02/2013 00:00

Ish-kryeprokurorja Ina Rama, e cila pretendonte të vazhdonte detyrën
deri në muajin maj të këtij viti, e larguar nga posti në fund të vitit
të kaluar, komenton zhvillimet e fundit për çështjen e 21 janarit.
Pafajësinë e Ndrea Prendit dhe Agim Llupos duket se nuk e ka pritur
mirë.

Ajo pohon se ka “luftuar” për këtë çështje, siç edhe bëri, pasi edhe vartësit e saj, nën një trysni të fortë, arritën të ngrinin akuzë për vrasje as më pak e as më shumë, por ndaj komandantit të Gardës së Republikës. Ai dyshohej se kishte vrarë demonstrues, madje kishte rrezikuar edhe 10 jetë të tjera, pasi më 21 janar, pistoleta e tij kishte shkrepur 11 fishekë. Një plumb u gjet në trupin e Faik Myrtajt, ndërsa disa të tjerë, fatmirësisht, janë gjetur në kangjellat e Kryeministrisë dhe në disa zyra, përtej bulevardit. Ina Rama thotë se i ka ezauruar të gjitha komentet për këtë çështje, pasi, kujtojmë këtu, se ka dalë disa herë në foltoren e Prokurorisë së Përgjithshme, në krah të ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, duke dhënë detaje nga kjo ngjarje. Në një rast, përmendi se, nisur nga ekspertizat e FBI-së, u arrit të provohej se plumbi i dalë nga pistoleta e Ndrea Prendit kishte prekur trupin e Faik Myrtajt. Madje shtoi edhe një fjali, sipas së cilës, në vendin që kishte qëlluar kryegardisti, ishte edhe Aleks Nika dhe Artes Dybeli, i pari është vrarë dhe i dyti është plagosur. Vrasja e Nikës ende nuk është zbuluar nga grupi hetimor.

Deklaratat e saj dhe hetimet për këtë çështje nuk janë pritur mirë nga eksponentë të mazhorancës, madje edhe nga Kryeministri, i cili pas ngjarjes së 21 janarit, pretendoi se për një “puç shteti” e akuzoi shumë rëndë. Nisur nga një deklaratë e zonjës Ina Rama, se ngjarja ishte në bulevard, pasi aty ishin vrarë demonstruesit, Kryeministri tha se “të gjithë ata që thonë se ngjarja ishte në bulevard, nuk janë veçse të tjerë horra dhe lavire bulevardi”. Megjithatë, zonja Rama nuk ka dashur ta komentojë asnjëherë këtë deklaratë, siç bëri edhe dje, gjatë prononcimit për gazetën “Shqip”.

Në fakt, nisur edhe nga zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, një koment i zonjës Ina Rama do të ishte shumë i vlefshëm, pasi ka qenë kryesuese e hetimit të ngjarjes së 21 janarit, së bashku me drejtuesin e hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme dhe me kreun e Prokurorisë së Tiranës, të dy këta të fundit të quajtur Sokol, njëri me mbiemër Stojani e tjetri Malaj, të shkarkuar nga detyrat.

Pas largimit nga detyra e Prokurorit të Përgjithshëm, zonja Rama, bashkëshortja e Agron Nuredinit, këshilltarit të drejtorit të Policisë së Shtetit, i është përkushtuar jetës familjare. Ajo jeton në katin e shtatë të një pallati në afërsi të kompleksit “Dinamo”. Në derën e apartamentit takojmë shoferin dhe njëkohësisht badigardin e saj. Ai na drejton te banesa e ish-kryeprokurores, të cilën e thërret “shefe”. Pas disa çastesh, në sfond shfaqet zonja Rama. Gjithkujt do t’i shfaqeshin imazhet e kronikave televizive apo edhe fotografitë në gazeta e revista, ku Ina Rama shfaqej e kuruar estetikisht. Megjithatë, krejt ndryshe nga sa imagjinohej, në derën e apartamentit gjendet një femër me një trup normal, e veshur me një kostum sportiv, ngjyrë lejla. Ishte me rroba shtëpie, ndërsa flokët të shkujdesur. Në momentin që afrohemi, të jep përshtypjen sikur njihemi prej kohësh, megjithëse është hera e parë që takohemi. Mjaft e qetë dhe e sjellshme, me një buzëqeshje mikpritëse, të lë të kuptosh se kërkon të rrijë e distancuar, larg presioneve, pavarësisht se ka pasur një rol kyç në ngritjen e grupit hetimor, mbledhjen e provave dhe ngritjen e akuzave ndaj Prendit, Llupos, Kumes dhe Kasajt.

“Të gjitha komentet e mia i kam ezauruar kohë më parë. Edhe pse kam qenë pjesë e çështjes së 21 janarit, për momentin nuk dua që të jap asnjë koment”, thotë me një qetësi zonja Rama, teksa kujtojmë se, pikërisht personi që kishim përballë, ishte ndeshur shumë herë me institucionet dhe zyrtarët. Madje, nuk ngurroi të mbronte vartësit e saj, të cilët janë ndeshur me çështje të rënda. Fati i keq i saj ishte se gjatë kohës që drejtonte prokurorinë, kanë ndodhur dy nga ngjarjet më të rënda kohët e fundit, tragjedia e Gërdecit dhe vrasjet gjatë demonstratës së 21 janarit. Megjithatë, vështirësia e hetimeve, në të dyja rastet, ishte shumë e madhe. Në dosjen e parë, atë të ngjarjes së Gërdecit, gjatë hetimeve, dolën emra politikanësh, madje edhe të fëmijëve të politikanëve, si personat që kishin lidhje apo kishin komunikuar me të pandehurit. Në dosjen e dytë, atë të 21 janarit, hetimet duhet të kalonin medoemos nga Garda e Republikës, Kryeministria, që ishte vendi ku kishin qëndruar gardistët, dhe Policia e Shtetit.

Këto përplasje duket se e kanë lodhur zonjën Rama, e cila, dje kishte preferuar të qëndronte në shtëpi. Pranë vetes kishte vajzën, që nuk i ndahet për asnjë moment, madje edhe gjatë komunikimit tonë. Pas disa minutash te dera e shtëpisë, ndahemi me zonjën Rama, që është në pritje të zhvillimeve të fundit, për t’u kthyer si gjyqtare në Gjykatën e Apelit në Tiranë, post të cilën e kishte në momentin që u bë Prokurore e Përgjithshme.

Gazeta “Shqip”

Top Channel