Detektorë kundër kopjuesve

09/02/2013 00:00

Për herë të parë matura shtetërore do të zhvillohet në kushte të forta sigurie. Teknologjia e zhvilluar dhe përdorimi i internetit përmes telefonave apo pajisjeve të tjera gjatë provimit të maturës shtetërore vitet e shkuara ka bërë që ky proçes të mos jetë i sigurt.

Në Ministrinë e Arsimit deklarohet se këtë vit do të përdoren detekorët për të kontrolluar nëse të rinjtë kanë pajisje të tilla ose jo, dhe zhurmuesit për të bllokuar celularët.

“Një nga pikat e dobëta të maturës shtetërore ka qenë administrimi, që ka dy faktorë: njerëzit dhe pajisjet. Është menduar që në të gjitha mjediset, në të gjitha klasat ku do zhvillohen provimet, do të ketë zhurmues ose bllokues të telefonave me valë. Por mundësia për të futur aparatin është e madhe. Ai është i ndaluar si objekt, por për të shmangur më të keqen do të futen detektorët”, deklaron Fatmir Vejsiu, drejtor i Arsimit Parauniversitar në MASH.

Edhe vetë mësuesit, të cilët do të jenë në rolin e administratorëve gjatë zhvillimit të provimeve të maturës shtetërore, nuk do të mbajnë celularë.

Zhvillimi i teknologjisë dhe përdorimi i saj nga të rinjtë ka shkaktuar probleme në sigurinë e këtij proçesi, por nga ana tjetër do të sjellë edhe lehtësi. Këtë vit maturantët do t’i plotësojnë formularët online në çdo shkollë. Kjo do të sjellë kosto më të ulët dhe më shumë shpejtësi në proçes.

Top Channel