Për herë të parë pas vendimit për 21 janarin, kryeministri Berisha ka folur për herë të parë për këtë ngjarje, duke u treguar i kujdesshëm në komentimin e vendimit të gjykatës. Berisha tha se Kryeministria u sulmua nga një grup njerëzish të kriminalizuar, të pajisur me gurë dhe dinamit.

“Bazuar në një video kryekëput të falsifikuar, ky zotëri mendoi se mund të rrëzonte pushtetin me dhunë. Solli persona të paguar nga bota e krimit me të cilët mendoi se do përmbyste qeverinë. U instalua në kullat përkarshi, duke menduar se do përmbyste qeverinë dhe ata sulmuan Kryeministrinë. Hodhën me mijëra gurë, tulla, ujë por edhe dinamit. Ai mendoi se unë do largohesha nga zyra, por unë jam njeri i detyrës”, deklaroi Berisha.

Ndërsa lidhur me gjyqin, ai u shpreh se proçesi vazhdon. “Pati 4 viktima, ishte një protestë për të përmbysur një qeveri të zgjedhur me vota të lira. Proçesi hetimor është në vazhdim. Kërkova një proçes të pavarur dhe ne po presim”, shtoi kryeministri.

Deklaratat e tij Berisha i bëri teksa dhjetëra qytetarë protestonin para Gjykatës së Tiranës kundër vendimit që shpalli të pafajshëm të akuzuarit e ngjarjes së 21 janarit. Protestuesit shprehën shqetësimin e tyre për atë që e quajtën “abuzim të pushtetit me gjykatat” e që sipas tyre nuk është gjë tjetër veçse simboli i diktaturës.

Top Channel