PS, programi për shëndetësinë

08/02/2013 00:00

Në kuadër të javës së shëndetësisë dhe prezantimit të programit për një
Rilidje Shqiptare, që lidhet me këtë sektor, kryesocialisti Edi Rama ka
vizituar Spitalin Ushtarak në Tiranë, ku është takuar me drejtuesit,
mjekët dhe infermierët e këtij spitali, prej të cilëve është njohur me
gjendjen në të cilën ata kryejnë shërbimet ndaj qytetarëve.

“Buxheti është rritur 70 për qind në 5 vitet e fundit dhe numri i shtrimeve ka arritur në 3 mijë, pra shtrimet bien, buxheti ngrihet, shërbimi është ky që shikoni”, thonë mjekët, të cilët shtojnë se nëse u duhet të kryejnë një operacion, pacienti duhet të blejë vetë edhe betadinën edhe garzat edhe ilaçet, nëpër farmacitë pranë Spitalit.

Strategjia e PS-së nesër në pushtet, theksoi Rama, do të jetë zbatimi i planeve dhe masterplaneve, të cilat jo se mungojnë, por nuk vihen në zbatim me qëllim për ta lënë situatën të përshtatshme për abuzime dhe korrupsion në sektorin e shëndetësisë.

“Arsyeja pse edhe në programin tonë, pjesa e shëndetësisë është pjesa më radikale është sepse këtu realisht duhet përmbysur komplet. Duhet ndryshuar komplet sistemi i financimit, duhet ngritur shërbimi kombëtar shëndetësor që shteti ta blejë shërbimin, jo ta blejë qytetari, ta blejë shteti dhe shteti ta ofrojë nëpërmjet shërbimit kombëtar shëndetësor, në mënyrë të ndershme dhe të drejtë. I duhet dhënë autonomi trupës mjekësore dhe buxheti nuk mundet dot të përcaktohet në Ministri, buxheti përcaktohet në prioritete. Shpenzimet përcaktohen nga bordet e spitalit”, u shpreh Rama.

Top Channel