“Drejtësia në pikë të hallit”

07/02/2013 00:00

“Katandisja e drejtesise në këtë pikë”, sic e komenton  me një togfjalësh ish-prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi vendimin e gjykatës për pafajësi për të akuzuarit e 21 janarit, nuk përfshin vetëm gjykatën, por edhe dhe prokurorinë.

Ish-numri një i akuzës që nuk ndodhej në Tiranë në kohën kur gjykata dha vendimin, në telefon për Top Channel deklaroi se ishte prokuroria ajo që përmes formulimit të akuzës la shteg për një interpretim të tillë nga gjykata.

“Unë e kam pritur prej kohësh këtë vendim dhe kam qenë kretësisht i ndërgjegjshëm që në castin që është ngritur kjo lloj akuze që është paraqitur para gjykatës, se përfundimi do të ishte ky që është. Lidhur me akuzën kam parasysh ligjen, kam parasysh faktin që jashtë kësaj cështje janë lënë të gjithë personat që kanë qëlluar atë ditë. Jashtë kësaj cështje janë lënë të gjithë të dëmtuarit e asaj dite e kështu me radhë. Nuk besoj se e kanë trajtuar problemin në tërësi, dhe kjo la shteg për një vendim të tillë”, deklaron ish-kryeprokurori, Arben Rakipi.

Por Rakipi sheh të gabuar përdorimin e analogjisë nga gjykata në vendimin që dha, me një vendim të Gjykatës së Strasburgut për vrasjen e një protestuesi nga një polic gjatë një proteste në Xhenova të Italisë në 2001.

“Analogjia nuk zbatoeht në procedurën penale, rrethanat e faktit janë krejt tjera dhe nuk mund të hiqen paralele. Gjithësesi thelbi i vendimit të Strasburgut dhe ajo cka duhej trajtuar për 21 Janarin është fakti nëse organet e rendit kanë qenë të kërcënuara për jetën apo jo. për rrjedhojë ishin apo jo të lejuara për përdorjen e armëve të zjarrit. Ky është thelbi i cështjes dhe jashtë këtij konteksti nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Është kategorikisht të japësh shpjegim tjetër përvecse nëse organet e rendit kanë qenë të kërcënuara për jetën në castin kur kanë përdorur armët e zjarrit? Kaq!”, tha zoti Rakipi.

Ish-prokuurori i Përgjithshëm thotë se pas këtij vendimi, që është rast i përsëritur edhe në procese të tjera me vëmendje të lartë të opinionit publik, është i kërcënuar procesi i cdo individi që kërkon të drejtën në dyert e gjykatës. Për ish-numrin një të akuzës, mbërritja e drejtësisë në këtë pikë ka fillesat tek Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

“Nuk jam fare i cuditur, të paktën si qytetar nga një vendim i tillë. Këtu kanë ndodhur edhe gjëra të tjera përpara kamerave dhe janë refuzuar të konsiderohen nga ana e gjykatave. Kështu që nuk jam i cuditur. Këshilli i Lartë i Drejtësisë me drejtuesit e saj kanë bërë prej kohësh përpjekje serioze për të arritur një rezultat të tillë, për të dhënë vendime të tilla të cilat vetëm me drejtësinë nuk kanë lidhje. KLD dhe drejtuesi i parë i saj, i kohëve të shkuara kanë kontribuar në mënyrë shembullore për të katandisur drejtësinë në gjendjen që është”, përfundoi deklaratën e tij Arben Rakipi.

Top Channel