KQZ miraton modelin e të fletës së votimit

05/02/2013 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të martën modelin e
fletës së votimit që do të përdoret për zgjedhjet e ardhshme
parlamentare.

Ngjyra e fletës do të jetë bezhë. “Lloji i letrës: ëatermark 90gr/m2 100% pulp, me fibra karboni ultraviolet, 2 shtresa, e ratifikuar ne fazën përfundimtare, me certifikatë origjine, i vazhdueshëm me skicë speciale, me mikroprintime, element në printim që shikohet me rreze ultraviolet”, thuhet në relacionin e KQZ-së. Ndërsa dimensionet e fletës së votimit do të jenë: gjerësia 297 mm dhe gjatësia 420 mm.

Sipas relacionit të projektvendimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në bazë të neneve 97, pika 1, dhe 98 të Kodit Zgjedhor, duhet të miratojë modelin e fletës së votimit për partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, që konkurrojnë në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013. Fleta e votimit për partitë politike dhe koalicionet duhet të ketë elementet e përcaktuara në nenet e sipërcituara.

Fleta e votimit duhet të ketë ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore, si dhe prodhimi i saj do të bëhet në blloqe pa kundërfletë. Gjithashtu, fleta e votimit duhet të jetë prej letre, me ngjyrë, trashësi dhe elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Fleta e votimit duhet të përmbajë dhe elemente sigurie, të cilat garantojnë sigurinë e prodhimit dhe përdorimit të saj.

Gjithashtu, fletët e votimit do të kenë edhe barkodin e saj. Në këto votime do të përdoret vetëm një fletë votimi. Në të do të pasqyrohen emri i partisë politike, emri i kryetarit të partisë politike. Shënimi i votuesit do të jetë një kuadrat me ngjyrë të bardhë.

Në krah të partive, në pjesën vertikale, propozohet që të shkruhen emrat e koalicioneve politike. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjithashtu pritet të miratojë edhe strategjinë e edukimit të zgjedhësve, fushatën që parashikohet të ndërmarrë për votimet e 23 qershorit. Kjo strategji është hartuar në tri pjesë. Pjesa e parë e strategjisë trajton tiparet e përgjithshme të saj dhe jep një përshkrim të shkurtër të qëllimit dhe strukturës. Pjesa e dytë fokusohet në marrëdhëniet e KQZ-së me zgjedhësit.

Pjesa e tretë e strategjisë evidenton marrëdhëniet e KQZ-së me organizatat dhe organizmat që përfaqësojnë interesat e grupeve të ndryshme. Miratimi i kësaj strategjie dhe më pas zbatimi i saj nëpërmjet projekteve të ndryshme, synon që të rrisë edukimin zgjedhor të shtetasve në një nivel të kënaqshëm dhe ajo çfarë është më kryesorja, të rrisë pjesëmarrjen e zgjedhësve në procesin e votimit. Spotet televizive janë pjesë thelbësore e fushatës së edukimit zgjedhor të shtetasve. Ky element luan rolin më aktiv për të komunikuar me të gjithë shtetasit që kanë të drejtën e votës, duke u krijuar mundësinë që jo vetëm të informohen në lidhje me zgjedhjet që do të zhvillohen, t’u bëhet thirrje për të marrë pjesë në votime, por mbi të gjitha për t’u krijuar mundësinë që të njohin mënyrën e rregullt të votimit në tërësi apo dhe në elemente të veçanta të tij.

Gazeta “Shqip”

Top Channel