Raporti: Berisha uzurpoi institucionet

02/02/2013 00:00

Një raport i ri i publikuar për Shqipërinë ka kritika të forta ndaj
qeverisë, përkatësisht ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Bëhet fjalë për
raportin vjetor të European Council on Freign Relations, që është një
think-tank i mirënjohur paneuropian, në të cilin theksohet se polarizimi
midis Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kreut të opozitës,
Edi Rama, mbetet i lartë.

Në raportin me plot 151 faqe, theksohet se në Shqipëri opozita dhe mazhoranca kaluan pjesërisht bllokimin, por për shkak të polarizimit 3 ligjet e integrimit nuk janë miratuar në Kuvendin e Shqipërisë. Raporti i EUFR vë theksin se nxitja për demokratizimin dhe përmirësimin e standardeve të qeverisjes është një sfidë e vështirë për BE-në, kur nga ana tjetër ekziston një deficit i vullnetit politik.

Në këtë kontekst, Brukseli nuk ka zgjedhje, por do të bashkëpunojë me liderët lokalë si Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, dhe Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, i cili polarizon opinionin publik dhe janë të akuzuar për uzurpim të pushtetit. Në këtë dokument theksohet se raporti i Komisionit Europian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kushtëzuar i vendit kandidat në Bashkimin Europian, por Këshilli Europian e shtyu në dhjetor.

Kosova e Serbia

Raporti i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme duke folur për Kosovën vlerëson se ishte një sukses viti 2012, meqenëse ndërmjetësimi i BE-s për bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës solli frytet e tij.  Gjithashtu, marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufirit goditi në dhjetor 2011 duke ndihmuar Serbinë për t’u kualifikuar për kandidimin në BE. Bisedimet u rifilluan në tetor duke u ndjekur me zgjedhjet parlamentare prill/maj.

Raporti sjell në vëmendje hapin e Përfaqësueses së Lartë, Catherine Ashton, për ndërmjetësimin e takimit mes kryeministrave Hashim Thaçi dhe atij serb, Ivica Daçiç. “Ashton ndërmori një takim të paprecedentë me kryeministrat, Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçi, ndjekur nga një tjetër takim në nëntor. Megjithatë, ekzistojnë pyetje të vazhdueshme nëse dhe kabineti Daçiç do të jetë në gjendje të zbatojë marrëveshjen e MIK-së dhe të bëjë hapa të mëtejshëm të nevojshëm”, thuhet në raportin e BE-së. BE-ja i ka kërkuar Serbisë të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën “si një parakusht për hapjen e bisedimeve të pranimit, por ka ende për t’u përcaktuar. Austria, Holanda, Gjermania, Britania e Madhe kanë shtruar presion ndaj Serbisë që të njohë zyrtarisht Kosovën.

Gazeta “Shqip”

Top Channel