Top Show: Fëmijët e dhjetave

30/01/2013 23:30

A janë gjithmonë më të mirët, ata që dalin me dhjeta? Pse nota e mirë figuron fiktive në pjesën më të madhe të rasteve? Faji i prindërve, që u blejnë notat fëmijëve, apo i shkollave dhe mesuesve, që i shesin ato për të fituar pikë në tregun arsimor?

Të ftuar në emisionin e Alban Dudushit ishin Ermal Hasimja, pedagog i New York University, Milena Harito, inxh. telekomunikacioni, Enila Cenko, pedagoge e New York University, Fatmir Vejsiu, drejtor i arsimit parauniversitar në MASH, Ylli Manjani, politikan, Rafaela Marteta, studiuese e komunikimit, Ines Kurti, mësuese e ciklit fillore, Erion Kristo, pedagog.

Ermal Hasimja: Nuk ka prindër që ndërhyjnë për notën dhe që të dalin në televizion ta pranojnë, këtë edhe mund ta bëjnë, por është një dukuri që ndodh në nivele të ndryshme dhe që ndihet kur fëmijët vijnë në Universitet, ku shihet se notat janë fiktive.

Ines Kurti
: Prindërit zakonisht nuk kërkojnë notën, por ndodh ndonjëherë kur vijnë edhe pyesin se pse ka marrë këtë notë, apo pse nuk ka arritur maksimumin. Kjo na kthen neve në rolin e psikologut. Ka edhe prindër që vijnë edhe thonë, ma shiko fëmijën, kije pak parasysh, ma ngri në mësim pasi dua të jetë aktiv. Ne si mësues filloreje, përpiqemi të vlerësojmë fëmijët duke i stimuluar, duke i motivuar që të vijnë me dëshirë në shkollë, dhe jo të kenë stresin e notës në shkollë. Në ditët e sotme, fëmijët nuk pranojnë të gabojnë, jo prej presionit që ushtrohet në shkollë, por prej mënyrës së edukimit të prindërve, që i thonë fëmijës së është më i miri, duhet të marrë gjithmonë 10-ta, duke mos qenë i barabartë me të tjerët. Shpesh fëmijët vijnë në shkollë, ata të fillores, dhe na thonë para diktimit, të lutem mos na vlerëso me notë negative, sepse sot nuk kam mësuar sa duhet. Por, ata duhet të kuptojnë se shkojnë në shkollë për t’u vlerësuar për atë çfarë japin, pasi vetëm kështu mund të nxiten të mësojmë më shumë në të ardhmen.

Erion Kristo: Si prind, jam i tillë që bëj presion për të ecur përpara, duke i shkuar shpesh për interesim, por jam tip kundër shkollës, pasi rruga të mëson më shumë. Ideja e kësaj është: fëmija të luajë në Ligën e Kampionëve, nuk ka rëndësi nëse rri në stol, por mjafton të ndeshet me më të mirët dhe kështu do të mësojë më shumë. Unë kam qenë tipi jashtë klase, nëpër olimpiada. Edhe pse dikur, në vit të 4 gjimnaz kam marrë një 5 në letërsi, po atë vit mora medalje bronzi në olimpiadë.

Ylli Manjani: Fëmijët e mi kanë një spektër të larmishëm notash. Në fillim kishin atë dëshirën që fëmija të dilte mirë, por me kalimin e kohës pranohet realiteti dhe nota nuk është gjithcka. Nota është spektër që të ndihmon për të stimuluar. Jam kundër presionit, makthit, por këto janë fenomene njerëzore edhe në moshën tonë. Te fëmijët ky fenomen është paksa më i theksuar. Me kalimin e kohës kuptojmë se nota nuk ka qenë gjithçka, shkolla po ashtu, por jeta ka më shumë rëndësi, pasi aty mëson shumë më tepër.

Milena Harito: Që pas viteve 2000, sistemi universitar është i demokratizuar, me të mirat e të këqijat e tij, kështu që në këtë sistem nuk ka sens për të vlerësuar që në shkollën fillore.

Ylli Manjani: Neve shpesh na pëlqen të shajmë shkollën apo mësuesin, para se të shajmë veten. Ekzistojnë këto realitete, pasi një shkollë në periferi të Tiranës nuk ka të njëjtën cilësi me një shkollë në qendër të kryeqytetit.

Enila Cenko: Ka ndryshim mes pyetjes së fëmijës se cfarë note ke marrë dhe cfarë dijesh ka asimiluar ai.

Fatmir Vejsiu: Prindërit kanë një sjellje, nëse pyesin fëmijën edhe shohin se ai ka marrë 10, nënkupton se kështu ka mësuar dhe është sjellë mirë.

Ines Kurti: Fëmijët e sotëm janë shumë të zhvilluar. Madje ata nuk kanë asnjë pengesë për t’i shprehur atë që ndiejnë mësueses, gjë që brezat e mëparshëm e kanë patur problem. Mbase përpara një provimi dikush prej nesh ka patur një makth, një stres dhe nuk ka mundur t’ia shpresë mesuesit, ndërsa sot unë ndonjëherë toleroj nxënësit e fillores, duke i thënë se sot nuk do t’i vë në provë dhe nuk do t’i vlerësoj me notë, vetëm do t’i pyes në mënyrë që t’u hiqet mendja nga problemet.

Erion Kristo: Një fëmijë me 10 në matematikë te “Petro Nini”, ka ardhur dhe qan në studimet për elektronikë, pasi nuk e kap dot atë sistem. Cështja nuk është të marrësh 10 për dicka, por a ja vlen ajo 10 që ke marrë?

Fatmir Vejsiu: Është e vërtetë që në disa shkolla në Tiranë është shumë e vështirë të marrësh 10. Mua më ka ndodhur që disa fëmijë nuk kanë qenë maksimalisht të vlerësuar, por që kanë shkuar jashtë për studime dhe janë kthyer te shkëlqyer.

Rafaela Marteta: Prindi shqiptar zakonisht nuk e kuptojnë realitetin e ditëve të sotme, shpesh herë synojnë që me anë të asaj që edukojnë te ata, të kthehen virtualisht në vitet e shkollimit të tyre. Por duhet patur parasysh inteligjenca e lindur, talenti më i shumtë te disa dhe më i paktë te disa të tjerë. Sistemi ynë shkollor, pas 50 vitesh regjim, ishte një sistem shkollor depozitues: mësuesi i transferon dijet e tij në kokën e fëmijës, ky i fundit duhet t’i riprodhojë, por pa humbur asgjë, pasi përndryshe nuk ka vlerë. Në atë kohë, nuk i vihej rëndësi problemeve sociale. U ndërtua edhe shkolla teknologjike, ku shkonin ata që kishin duar edhe krah. Mbas viteve 90, edukimi nuk ishte prioritet, por synohej pasja e një partie më shumë apo një televizor më shumë. Duhet një shkollë e re me mësues të rinj, ku mësuesit të marrin vlerësime mbi formimin e tyre.

Ermal Hasimja: Gjithmonë, sa më përpara të shkojmë, do të kthehemi pas dhe do të themi se nuk ka ndodhur kjo, apo nuk jemi përmirësuar këtu etj. Secili nga ne e sheh si të dojë misionin e shkollës. Fatkeqësisht, secili prej nesh mund të donte që fëmijët të lindnin të rritur, në mënyrë që të vendosnin vet për jetët e tyre, por kjo ska për të ndodhur. Ata janë të vegjël dhe kanë nevojë për ndihmën tonë. Unë personalisht i them faleminderit prindërve të mi, pasi kanë ushtruar edhe autoritet, ndonjëherë edhe brutal, por që më kanë bërë ky që jam sot. Sa i përket notave, edhe unë do të doja që të mos kishte nota fare, të hynim në shkollë edhe të dilnim pa asnjë vlerësim, por neser ai fëmijë do të shkojë nëpër intervista pune dhe dikush do ta masë dijen e tij. Diku në jetë ai fëmijë do të provohet dhe do të vlerësohet mbi bazën e asaj që jep. Në momentin që një fëmijë dështon, nuk mund t’i themi ska problem sepse ti ke të drejtat e tua dhe kjo është jeta jote, në anën tjetër shajmë shkollën, apo mundohemi ta gjejmë fajin diku tjetër, jo të fëmija.

Ylli Manjani: Ta zëmë se nota është e padrejtë, sic mendojnë të gjithë, por fëmija duhet të mësojë sensin e padrejtësisë, pasi nesër mund të thonë se janë mësuar me padrejtësi nga mëngjesi në darkë. Është dicka e mirë, që dikush të mësohet me padrejtësitë, pasi ashtu nxitet të mësojë për të vendosur drejtësinë. Edhe kur fëmija mendon se dikush i ka bërë padrejtësi, duhet të mësohet me këtë realitet dhe të ushtrohet më shumë, që nesër të mos bie pre e padrejtësive.

Rafaela Marteta: Fëmijët tanë janë me fat, kanë fëmijë të formuar dhe të edukuar, dhe kur vijnë në shtëpi me një 7 apo 8 apo edhe 5, dimë ta argumentojmë, duke i thënë se këtë kanë merituar, sepse nuk ka mësuar aq sa duhet. Ndryshe nga prindërit e pashkolluar, të cilët kanë parësore vetëm notën dhe gjithmonë e shohin formimin e fëmijës te nota.

Milena Harito: Sistemi francez është i bazur mbi kriterin e vlerësimit dhe klasifikimit. Të pakten prej 10 vitesh, në France ka një debat nëse në shkollën fillore është i drejtë ky sistem. Atje, në fillore duhet të pyesim nëse fëmijët duan të marrin besim te vetja, apo duhet të shohim se në cilin rend klasifikimi është.

Rafaela Marteta: Fëmija im, pavarësisht se merr fjalë shumë të mira, yll, kurore etj, edhe pse ka bërë 3 apo 4 gabime, mërzitet nga këto fjalë, pasi nuk mund të shohë përparimin e vërtetë të saj.

Ines Kurti: Mësuesi i fillores nuk i qëndron strikt asaj që fëmija paraqet. Nuk ka rëndësi nëse një nxënës nuk e lexon me ritmin e duhur, por mjafton që e lexon dhe merr duartrokitjet e shokëve të klasës.

Erion Kristo: Nëse i lëmë fëmijët e sotme në liri, ata nuk shkojnë të nesërmen në shkollë, kjo është një virozë. Për mua ka 3 raste dallimi: Mund të marrësh 10 në kërcim, por nuk dihet se cfarë mëson aty, pasi fëmija nuk di të kërcejë një valle popullore… Mund të marrë 8 në Fizikë dhe të përballet me të bërtitura, pse more 8, sepse duhej 10 në mënyrë për të siguruar bursën… Apo nëse një person ka prirje për matematikë, ska pse të kërkojë maksimumin edhe te lëndët e tjera, por duhet të mbështetet në këtë lënë me të gjitha forcat e veta, pasi këtu mund të shkëlqejë.

Ylli Manjani: Me këtë sistem që kemi, vetëm ata që kanë talent të lindur mund të kalojnë me sukses. Sistemi ynë edukativ kalohet vetëm nga të talentuarit dhe ata që kanë dëshirë e pasion për librat. Rraca njerëzore është akoma shumë pranë majmunit. Sot, më shumë duhet të na shqetësojë masa e gjerë, ata mesatarët. Nuk jam kurrë në kërkim të një shkolle ku arrihen të gjitha 10, pasi në kushte normale kjo nuk është e arritshme, por fëmijën time e fus në një shkollë ku ka larmishmëri notash. Shumica e mësuesve akuzojnë se fëmijët janë të pavëmendshëm, por këtu lind nevoja e një metodike mësimi, që t’i tërheqësh vëmendjen nxënësve. Duhet të kuptojmë një gjë: rregulli dhe nota duhen pranuar.

Fatmir Vejsiu: Reforma për arsimin 9-vjeçar ka filluar, por kushtëzohet nga lindja e arsimit parauniversitar, ku fillorja do të jetë 6 vjet. Sot jemi në diskutim të kësaj pakete kurikulare. Ajo që bie në sy është se nga klasa 1 deri në 6 lëndët janë të integruara. Kemi Gjuhën Shqipe dhe Leximin Letrat të integruara, që do të ndahen në klasën e 7 deri të 9. Ka një tendencë për Edukimin për Sipërmarrjen, një detyrim nga ndërkombëtarët, me anë të të cilit i jepet një edukatë fëmijëve se si menaxhohet një biznes i vogël, në mënyrë që në të ardhmen të kenë mundësi të bëhen sipërmarrës jo me lekët e baballarëv. Reforma në kurikul ka edhe reformë në lidhje me mësuesit, pasi ka shumë mësues që dalin të rinj, ka të tjerë me eksperiencë 20 vjecare apo më shumë, ka edhe nga ata që dalin si mësues, por nuk janë të zotë. Lëndët do të kenë një kohezion vertikal dhe horizontal, duke mos përsëritur njëra-tjetrën. Vlerësimi është një instrument, por jo një matës nëse fëmija di kaq apo aq.

Ylli Manjani: Shkolla përbën një metodë, se si transmetohet dija nga ata që i zotërojnë tek ata që duan të mësojnë. Nuk duhet t’i rrisim fëmijët me ndjenjën vetdiskriminuese, që ky është talent apo ai tjetri nuk është i arritshëm.

Rafaela Marteta: Amerikanët kanë demokraci të vërtetë, të trashëguar nga historia e gjatë, si dhe kanë një mendim kritik por me proces të thellë ndërgjegjësimi. Ndryshe nga ne, që kemi më pak kohë demokraci, madje një demokraci të pjesshme dhe jo të kulluar, por që kemi një mendim kritik “të avancuar”.

Erion Kristo: Një fëmijë i vecantë duhet trajtuar në mënyrë të vecantë, pasi masa e përgjithsme e shuan këtë vecanti të atyre pak indvidëve, që i zotërojnë.

Rafaela Marteta: Ne nuk i kemi të gjithë mësuesit apo profesorët super të përgatitur, për t’i bërë përballë ndryshimeve të kurikulës, pasi shumë përmbajtje janë edhe të papërshtatshme. Motivimi nuk është vetëm një fjalë, por një proces, pasi fëmija nuk mund të vetmotivohet. Në Europë ka një metodë, apo rrymë edukimi, Media Education, që synon edukimin e fëmijëve me anë të medias.

Milena Harito: Ka një moment kur dëshira e prindit për një arritje më të madhe të fëmijës, shpërgjegjson fëmijën nga dëshirat e tij, pasi nuk mund të jetojë prindi në identitetin e fëmijës.

Ermal Hasimja: Kemi prindër që thonë se kemi bërë punë të mirë tani që fëmija jonë është vlerësuar me 10. Presioni fillon duke nisur nga klasa e 6-të, pasi në fillore nuk ka as vlerësim. Në gjimnaz duhen notat për cështjen e konkurrimit për të vazhduar studimet e larta. Ndërsa në Universitet, kërkohet nota, pasi me një diplomë me nota të mira, synohet të gjendet një punë e mirë. Por, këtu një prind ka shkatërruar fëmijën, pasi ai mund të ketë për objektiv marrjen e notës 10. Edhe pse është te 8 apo 9, me anë të presionit të prindërve, mund të arrijë te 10, por nuk e ka më atë objektiv dhe motivim për të mësuar më tepër. Për të provuar fiktivitetin e notës, ka metoda të tilla si dërgimin e mësuesve të huaj në një shkollë, testimin e atyre nxënësve dhe vlerësimin e tyre po nga këta mësues të huaj, për të kuptuar nëse stafi i asaj shkolle vlerëson efektivisht, apo i ndëshkon padrejtësisht nxënësit. E rëndësishme është të kuptohet se kur një nxënës është për 9 dhe prindi e shtyn për të marrë 10, ai nuk e nderon atë, por bën që të mos përmirësohet më në vijim.

Top Channel