Të gjithë cënojnë privatësinë

28/01/2013 00:00

Qytetarët shqiptarë nuk janë të informuar se disa të dhëna nuk duhen bërë publike, pasi janë të dhëna personale, të cilat dikush mund t’i përdorë ato duke cënuar dinjitetin e tyre.

“Tradita jonë, në fakt, lë shumë për të dëshiruar. Është e udhës që qytetarët të jenë të ndjeshëm për jetën e tyre private, sepse është një ligj apo një autoritet, që i mbron ata”, tha Flora Çabej, komisionere e mbrojtjes së të dhënave personale.

Institucioni i Mbrojtjes së të Dhënave Personale vëren se shpesh bankat, për të dhënë një kredi të sigurt, kërkojnë informacione të tepërta, të panevojshme, të qytetarëve. Po kështu, kur në adresat tona elektronike, apo në celularët tanë vijnë mesazhe promocionale nga kompani të ndryshme biznesi, të dhënat tona personale janë keqpërdorur.

“Zakonisht, kur të vjen papritur një mesazh promocional në telefonin celular, kushdo mendon se si ka mundësi, pasi numrin nuk ia ka dhënë atij biznesi, nga e gjeti? Ka qenë pikërisht dhënia e numrit te një kontrollues dhe ky i fundit, pa pëlqimin tënd, e ka përhapur. Kjo është politika e privatësisë, që ai kontrollues të cilit ti i ke dhënë të dhënat, të të thotë se të dhënat e tua nuk do t’i përhapë”, shtoi më tej zonja Çabej.

Por, mediat janë më të kritikuarat në këtë pikë, të cilat publikojnë të dhënat personale të një personi të dyshuar për një ngjarje, të një të mituri, viktimë e dhunës dhe abuzimit, duke dëmtuar dinjitetin e tyre njerëzor, çka e dëmton personin në të ardhmen apo riintegrimin e tij shoqëror.

“Edhe kur kemi hasur persona të dyshuar, ju e dini shumë mirë që prezumohet i pafajshëm, deri në momentin kur gjykata jep një vendim të formës së prerë. Atëherë media duhet të bëjë kujdes që të japë thelbin e kronikës”, u shpreh Flora Çabej.

Zonja Çabej thekson se është momenti të krijohet urdhri i gazetarëve, në mënyrë që të rregullojë këtë profesion. Institucioni i Mbrojtjes së të Dhënave Personale ka në tagrin e tij të japë rekomandime, si dhe të vendosë gjoba në rastin e shkeljes së privatësisë.

Top Channel