Abuzimi me ndihmën ekonomike

28/01/2013 00:00

Plot 62 milionë lek është dëmi ekonomik, që i kanë shkaktuar shtetit rreth 9 mijë familje, të cilat kanë përfituar ndihmë ekonomike në mënyrë abuzive.

Drejtoresha e Shërbimit Social, Etleva Bisha, tha se vetëm 25% e bashkive dhe komunave nuk janë inspektuar ende, por dëmi më i lartë është konstatuar në Bashkinë e Kamzës.

“U vu re se numri i përfituesve të ndihmës ekonomike në Bashkinë Kamëz, i cili deri në muajin Mars ishte 3100 familje, në muajin Maj të vitit 2013 ka shkuar në 6280 familje, duke dyfishuar numrin e familjeve përfituese. Në rastin e ndihmës ekonomike, dëmi nuk i kthehet më mbrapsht buxhetit të shtetit, prandaj konsiderohet dëm ekonomik, ndaj dhe ne kërkojmë masa ndëshkimore kundër atyre që e kanë shkaktuar dëmin”, u shpreh Etleva Bisha.

Shërbimi Social ka depozituar në Prokurori një kallëzim penal për kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, kryetarin dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak.

Nga auditi i deritanishëm ka rezultuar se 566 persona me aftësi të kufizuar kanë përfituar nga ndihma e aftësisë së kufizuar në mënyrë abuzive dhe dëmi është 9 milionë lek.

Top Channel