Sulmi ndaj gjyqtares, arrestohet i dyshuari

23/01/2013 00:00

Arrestohet i dyshuari si autori i sulmit me acid ndaj gjyqtares së
gjykatës së Vlorës, Mirela Mishgjoni. Përmes një konference për shtyp,
drejtori i policisë së Qarkut Vlorë, Artan Cuku bën me dije se është
arrestuar 24 vjeçari Nertil Zotaj, i cili dyshohet si autor i sulmit
ndaj gjyqtares Mishgjoni.

“Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi më datë 16.01.2013 rreth orës 08:20 të mëngjesit në lagjen 29 Nëntori pranë shkollës “Ali Demi, ka sulmuar shtetasen Mirela Mishgjoni, me detyrë Gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, duke i hedhur në pjesën e fytyrës acid të lëngshëm sanitar të cilin e kishte blerë dy ditë më parë në një dyqan ushqimor. Ky shtetas ka qenë i arrestuar më parë së bashku me vëllain e tij shtetasin Pauli Zotaj, për “Vjedhje” dhe është gjykuar e dënuar nga Gjyqtarja Mirela Mishgjoni me 11 muaj burg dhe 150.000 lekë gjobë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këtë veprim ky person e ka kryer me pretendimin se është dënuar me një masë dënimi më të rëndë nga ajo që i takon dhe se nuk është liruar në kohë pas vuajtjes së dënimit”, bën të ditur policia e Vlorës.

Gjyqtarja Mirela Mishgjoni u sulmua me acid në fytyrë më 16 janar në momentin që ishte duke dalë nga shtëpia e saj, ndërsa autori i ngjarjes u largua menjëherë me vrap.

Top Channel