Ligji i ri për mediat audiovizive

16/01/2013 23:20

Andris Kesteris, këshilltari kryesor për shoqërinë dhe median në Komisionin Europian, në përfundim të të gjitha problemeve të ngritura mbi lirinë e medias në Shqipëri, është ndalur te rëndësia e sigurimit të një autonomie ekonomike të medias dhe aftësisë për t’u rezistuar presioneve ekonomike dhe politike.

Në komision është duke u diskutuar projektligji për mediat audiovizive, ku një pikë e rëndësishme është pjesa për transmetimet numerike. Zoti Kestris ka kërkuar që në këtë projektligj të parashikohet një kalim sa më i butë nga transmetimet analoge në ato dixhitale, duke përfshirë operatorët, që janë prej shumë vitesh në treg.

“Më lini t’ju them, se duhet të ketë një bashkëpunim të plotë mes këshillit, qeverisë dhe vetë operatorët e tregut, në mënyrë që këshilli të mund të zbatojë funksonet, për të cilat ka nënshkruar. Afati përfundimtar për kalimin në platformat është 17 qershor 2015, që nuk është një kohë dhe aq e largët. Ajo që na shqetëson është që, ky kalim të bëhet në mënyre sa më të lehtë, në të gjitha vendet që janë pjesë e zgjerimit (supozohet BE). Nëse afati nuk arrihet, mund të çojë në probleme serioze teknike dhe financiare mes vendeve të përfshira dhe atyre që janë jashtë platformës. Potencialisht, mund të përfshijë edhe disa vende anëtare të bllokut europian, në sensin negativ. Prandaj, implementimi i plotë dhe i vazhdueshëm i të gjitha strategjive të adoptuara shqiptare të dixhitalizimit, si dhe garantimi i kësaj reforme kanë interes të veçantë për komsionin. Këto pika, që parashtrova këtu, do të konkretizohen shumë shpejt gjatë bisedimeve me autoritetet shqiptare e do të përkthehen në masa dhe veprime konkrete. Në të njëjtën kohë, është gjithashtu e qartë se për implementimin e pritshëm nuk mund të përparojmë pa e pasur në anën tonë vetë komunitetin mediatik. Ndaj, presim bashkëpunim dhe gadishmëri, nga ana e sektorit të medias, për të dhënë ndihmesën e tij”, u shpreh Andris Kesteris.

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, në përfundim të konferencës mbi lirinë e medias, nuk është ndalur gjatë te presioni politik dhe ekonomik që ushtron politika mbi mediat, por te roli më i fuqishëm i shoqërisë civile dhe drejtuesve mediatik.

Ligji për mediat audiovize është shumë i rëndësishëm për lirinë e mediave, por edhe për institucionet mbikqyrëse të tregut, nëse ai do të zbatohet me pavarësi dhe transparencë.

Top Channel